Imazhet që po trondisin botën

506
Banorët e Kan Sheikunit, qytezës siriane ku përdorimi i armëve kimike i mori jetën të paktën 70 personave, thonë se ishin avionët e ushtrisë siriane që hodhën bomba më mbushura me lëndë kimike.
Rrjeti televiziv amerikan CNN ka publikuar dëshmitë e disa të plagosurve që po marrin ndihmë në spital.
Ndër ta, 13-vjeçari Mazin Jusif rrëfen para kamerave se avionët kishin bombarduar shtëpinë e gjyshit të tij. Shprehet se kur kishte shkuar për të ndihmuar të afërmit që strehoheshin aty, ai ishte ndjerë keq, kishte pasur marrje mendësh dhe i kishin rënë të fikët. Më pas e kishte gjetur veten në spital.
Në mediat ndërkombëtare qarkullon edhe dëshmia e babait të këtyre binjakëve, një vajzë dhe një djalë, vetëm 9-muajsh që humbën jetën nga sulmi. Ai shprehet se Aja dhe Ahmedi humbën jetën së bashku me mamanë e tyre dhe 25 të afërm të tij në total.
Abdelhamid Jusif shprehet bombat me armë kimike u hodhën nga një avion pranë shtëpisë së tyre, në momentin që ai nuk ndodhej aty. Atij i ka mbetur peng që nuk arriti të shpëtojë fëmijët, ndërsa shprehet se kurrë nuk kishte dashur të largohej nga vendi si refugjat, sikurse kanë bërë qindra mijëra sirianë.
Edhe dëshmitarë të tjerë thonë se bombat e mbushura me lëndë kimike vdekjeprurëse ishin hedhur nga avionët e ushtrisë siriane. Dëshmitë hedhin poshtë variantin rus, që pretendonte se armët kimike ishin fshehur nga rebelët në zonën e bombarduar dhe kishin shpërthyer pasi ishin bombarduar nga avionët e forcave të Asadit.
Sigal