I strehoi nga tërmeti, pas 16 vitesh SHBA do të deportojë 200 mijë emigrantë nga El Salvadori

102
Administrata Trump do t’i japë fund programit të mbrojtjes së përkohshme që lejoi rreth 200 mijë emigrantë nga El Salvadori të jetonin në SHBA për 16 vite. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, emigrantët do të kthehen në El Salvador deri në shtator të vitit të ardhshëm.
Rreth 200,000 emigrantë nga El Salvadori që kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara për 16 vite do të largohen nga vendi, shkruan Financial Times. Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së njoftoi të hënën se do mbyllë Shërbimin për Mbrojtjen e Përkohshme për shtetasit nga El Salvadori të cilët morën leje qëndrimi të përkohshme në SHBA pas tërmeteve vdekjeprurëse në vitin 2001 ku humbën jetën më shumë se 1,000 persona.
Programi, i cili do përfundojë në muajin mars, i lejonte emigrantëve një qëndrim të përkohshëm për një periudhë 18 mujore e cila është shtyrë që atëherë. Sipas zyrtarëve amerikanë, shtetasit nga El Salvadori kanë kohë deri më 9 shtator të 2019 të planifikojnë kthimin e tyre ose të gjejnë një status alternativ ligjor për të qëndruar në SHBA.
Sakaq El Salvadori është i shqetësuar për impaktin që kthimi i 200,000 individëve do ketë në financat e vendit pasi remitancat përbëjnë 17% të GDP-së së vendit, sipas Bankës Botërore. Shumë të tjerë gjithashtu i tremben shpërthimit të dhunës, të ngjashëm me atë të viteve ’90, ku mijëra shtetas nga El Salvadori, të cilët ishin pjesë e bandave kriminale në Los Angelos, u deportuan nga SHBA.