Ka qëndruar në ajër për 4 orë, brenda furgonit, i varur me rripin e sigurisë dhe u shpëtua më pas nga një zjarrfikës. Kjo i ka ndodhur Gianluca Ardinit, 28 vjeç, një nga të mbijetuarit e shembjes së urës Morandi, në Genova.

Pranë tij, ishte kolegu i tij Luigi, i cili nuk arriti t’ia dilte. Në atë moment dramatik, Gianluca mendonte për djalin e tij Pietron, i cili do të lindë për pak ditë. Gianluca flet nga spitali, ku ndodhet me fraktura të shumta por ende gjallë.

“Orë shumë të gjata, je aty plot dhimbje dhe mezi pret që dikush të shpëtojë.
Në një situatë të tillë, mendon për familjen, fëmijën që duhet të lindë, se si arrite të shpëtosh. Mund të kishte qenë shumë më keq”, tha 28-vjeçari për Newsmediaset.

“Më kujtohet kur pashë disa pjesë të shtyllës të binin dhe pastaj, si në filma, asfalti u shemb dhe ne u zhytëm poshtë. Vazhdova të mendoj se si u katandis furgoni dhe pyes veten se si është e mundur që unë jam ende gjallë.

Në atë moment mendova për më të keqen, mund të kisha mbetur i paralizuar por shkoi mirë”. Pastaj një mendim për zjarrfikësin që i shpëtoi jetën: “Ai është engjëlli im mbrojtës. Ishte me të vërtetë i jashtëzakonshëm”, përfundoi ai.