Hyseni: Kosova ka identifikuar qytetarët që ishin pjesë e ISIS-it

586
Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, mori pjesë në përmbylljen e konferencës ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, së bashku me institutin me famë botërore, Aspen Institute. Konferenca e tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, këtë vit është fokusuar në çështjet e sigurisë. Me këtë rast, ministri Skënder Hyseni tha se Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ai tha se “MPB është e fokusuar në luftimin, parandalimin e radikalizmit të shoqërisë kosovare, me synim parësor ndalimin dhe parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmin me premisa dhune, që në faza të caktuara të zhvillimit shndërrohet në veprime të dhunshme që marrin format e akteve makabre terroriste”.
Sigal

Gjatë fjalimit të tij në këtë konferencë ndërkombëtare, ministri Skënder Hyseni, është shprehur se krizat dhe konfliktet në Ukrainë dhe në Siri, kanë ndikuar edhe në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. “Është fakt që Kosova për kokë banori ka prodhuar shumë pjesëtarë për luftërat e huaja, mirëpo, tani ne e kemi situatën nën kontroll. Kemi identifikuar gati secilin qytetar që është vrarë në Siri apo që është kthyer nga atje. Do të bëjmë gjithçka që nevojitet që ta mbrojmë vendin nga kjo e keqe”, tha ministri Hyseni.Ministri Hyseni nënvizoi se është detyrim esencial i shoqërive të të gjitha shtresave dhe organizimeve të ndryshme sociale e politike që të bëjnë më shumë në parandalimin e radikalizmit të pjesëtarëve të shoqërisë sonë.

Ndërsa, drejtor ekzekutiv i Institutit Aspen në Gjermani, Ruediger Lentz, tha se për vendin e tij kriza e refugjatëve është më e vështira. “Kjo po e tregon fytyrën e vërtet të Gjermanisë”, tha Lentz, duke shtuar se Evropa është në rrezik si kurrë më parë. Konferenca e tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, së bashku me institutin me famë botërore, Aspen Institute, është hapur mbrëmë në Prishtinë. Konferencën që vazhdoi edhe sot e hapi kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ndëra mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, si dhe përfaqësuesit nga vendet e tjera të rajonit. Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisë panelin e parë me temë “Sfidat globale dhe rolet e NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor”. Tema e konferencës ishte Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale. “Germia Hill” synon që të ndihmojë Kosovën në promovimin e axhendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë në debatet e rëmdësishme të sigurisë rajonale.