Hungari, emigrantët: Jo kampe, vetëm liri, nisni trenat

419
Qindra emigrantë e kanë kaluar sërish natën në stacionin e trenit në Budapest, duke fjetur në shinat apo edhe brenda në tren, të rrethuar nga policia e duke refuzuar vazhdimisht të strehohen në kampet e posaçme të ngritura për ta.
Burra e gra, por mes tyre edhe fëmijë, kanë protestuar që në orët e para të mëngjesit me pankarta nëpër duar të shkruara në anglisht: “Jo kampe, jo ujë, jo ushqim, vetëm liri, nisni trenat”.
Pas dy ditësh, treni i parë u nis këtë të premte drejt Austrisë me 2 mijë emigrantë në bord.
Hungaria ka kërkuar që të gjithë emigrantët, një për një duhet të regjistrohen sipas rregullave të Bashkimit Europian por shumica e tyre refuzojnë me frikën se do të rikthehen sërish në Hungari nëse më vonë kapen nga policia në perëndim.
Një ditë më parë, kryeministri hungarez Viktor Orban nuk i shmangu kritikat për Europën dhe Gjermaninë, duke theksuar se europianët po rrezikojnë të shndërrohen në minoritet në vetë kontinentin e tyre, duke mbrojtur linjën e fortë që vendi i tij po ndjek për çështjen e emigrantëve.
Nga fillimi i 2015-ës, në Hungari kanë hyrë 140 mijë emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia.
Sigal