Humbin jetën dy fëmijë në zjarrin e madh në Chur të Zvicrës

127

Në të gdhirë te së dielës, në një godinë banimi me shumë familje në Chur, është shkaktuar një zjarr i madh. Nga ky zjarr, jetën e kanë humbur tre persona, shkruajnë mediat zvicerane.

Rreth orës 03.05, stacioni i Policisë Kantonale në Graubünden kanë marrë njoftim se në një godinë banimi gjashtëkatëshe, në rrugën “Foralweg”, ishte shkaktuar një zjarr i madh.

Brigada e zjarrfikësve Chur, e mobilizuar me të gjitha forcat e disponueshme, filloi menjëherë operacionin e shpëtimit dhe evakuoi 48 vetë nga 38 apartamente.

Në rrjedhën e operacioneve të zjarrfikësve, forcat e shpëtimit hasën në tre trupa të pajetë në një banesë të djegur, transmeton Albinfo.ch.

Sipas hetimeve fillestare, bëhet fjalë për një të rritur dhe dy fëmijë. Gjashtë banues të tjerë, si dhe dy zjarrfikës janë dërguar në Spitalin kantonal të Graubündenit në Chur, nën dyshim për helmim nga tymi

Ekipet e ambulancës nga spitalet Thusis dhe Schiers si dhe ekipet e shpëtimit nga Chur, janë përkujdesur për trajtim mjekësor, informon Albinfo.ch.

Të evakuuarit u strehuan në një restorant në afërsi dhe u përkujdesën nga ekipi i Grischun. Brigada e zjarrfikësve Chur ishte mobilizuar me shtatëdhjetë persona.

Së bashku me zyrën e prokurorit publik, Policia Kantonale e Graubündenit është duke hetuar shkakun e shpërthimit të zjarrit.