Humb kryeministri grek në votimet europiane

571
Sigal

Pas përfundimit të votimit në zgjedhjet europiane në Greqi, Demokracia e re është në avantazh me 7 pikë më shumë ndaj partisë SYRIZA të kryeministrit Alexis Tsipras.

Demokracia e Re ka marrë nga 32 deri 36% të votave, SYRIZA 25-29%, Lëvizja për Ndryshim (PASOK) 7-9%, Agimi i Artë 5-7%, po aq sa edhe partia komuniste.

Në parlamentin europian mund të futet edhe partia e ish ministrit të financave, Janis Varoufakis, MERA 25, që në exit pollse ka marrë një kuotë nga 2,5 – 4,5%.

Edhe pse një vlerësim i parë zyrtar i rezultatit do të bëhet në orët e vona të natës, konsiderohet e sigurt që Demokracia e re ka dalë fituese e këtyre zgjedhjeve.

Liderët e dy partive më të mëdha, kryeministri Tsipras dhe shefi i opozitës, Mitsotakis, e shndërruan garën elektorale në një referendum pro apo kundër secilës prej dy forcave kryesore.

Ditët e fundit, kryeministri Tsipras u bëri thirrje qytetarëve që në këto zgjedhje t’i japin votëbesim qeverisë së tij. “Nëse nuk marr votëbesimin që kërkova, atëherë çdo gjë është e hapur”, deklaroi kryeministri në intervistën e tij të fundit para këtyre zgjedhjeve.

Sipas analistëve, kjo nuk përjashton që Tsipras të befasojë me shpallje zgjedhjesh të parakohshme ndoshta brenda muajit qershor.