Human Right Watch: Kroacia të ndalë dhunën e emigrantëve

499
Sigal

Kroacia duhet të ndalë menjëherë kthimin e emigrantëve dhe azilkërkuesve në Bosnje dhe Hercegovinë në disa raste me forcë. Thirrja vjen nga Human Rights Watch, e cila i ka dërguar një letër Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović. HRË dhe organizata tjera, përfshirë UNHCR-në dhe Këshillin e Evropës, kanë ngritur vazhdimisht shqetësimet përdhunën brutale të ushtruar nga policët kroatë, ndaj emigrantëve në kufirin me Bosnjën.

“Zagrebi duhet t’i japë fund dëbimit të paligjshëm dhe dhunës kundër emigrantëve në kufijtë e tij. Zyrtarët kroatë të kufirit kanë keqtrajtuar qindra, ndoshta mijëra, emigrantë dhe azilkërkues, të cilët meritojnë drejtësi”, tha Lydia Gall, përfaqësuese e Human Rights Watch.

Dhuna sipas organizatës për të drejtat e njeriut nuk ka kursyer edhe gratë e fëmijët. Edhe pse autoritetet i kanë kundërshtuar pretendimet, së fundmi presidentja Kitarović, pranoi situatën e paligjshme dhe përdorimin e forcës në disa raste. “Pak dhunë duhet kur zbatohen kthimet”, tha presidentja, duke nxitur reagimet e ashpra të aktivistëve.

Amnesty International kritikoi heshtjen e Brukselit ndaj këtyre rasteve e gjithashtu të mediave kroate, shumica e të cilave e kanë injoruar tragjedinë, që luhet vetëm 150 km larg kryeqytetit Zagreb. Pas mbylljes së të ashtuquajturit itinerari Ballkanik në vitin 2016-të, mijëra azilkërkues kane mbetur të bllokuar ne Serbie Bosnje Hercegovinë.