Hoxhaj: Brenda 5 viteve, me Serbinë zgjidhen të gjitha çështjet e hapura

482
Sigal

Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj ka deklaruar sot në Beograd se Kosova në tre deri pesë vitet e ardhshme është e gatshme të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, duke pohuar se ‘dialogu nuk mund të jetë proces pa përfundim dhe qëllim të qartë’.

“Kosova është shtet i pavarur, dhe do të jetë përgjithmonë e pavarur. Ne lëvizim drejt rrugës evropiane, kjo do të jetë e mirë për Serbinë, Kosovën, rajonin dhe do të jemi shumë të kënaqur kur në vitin 2020 të hapen mundësi të reja për anëtarësim në BE”, theksoi ministri Hoxhaj sot në Beograd.

Kreu i diplomacisë kosovare vlerësoi pjesëmarrjen e zyrtarëve të Kosovës në konferencën e Beogradit, si një transformim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Hoxhaj shfrytëzoi rastin për të komentuar edhe reagimin e Komitetit Olimpik serb për njohjen e Kosovës duke thënë se ‘nëse ata pranojnë ministrin e kosovar, nuk duhet të ketë probleme për pjesëmarrjen e sportistëve në gara olimpike. Ata nuk janë politikan dhe meritojnë të jenë aty ku duhet të garohet”.