Hong Kong, Kina penalizon mosrespektimin e himnit kombëtar në publik

595
Mosrespektimi i himnit kombëtar kinez në publik është tashmë krim që ndëshkohet me dënime të rënda.

Komiteti i Përhershëm i Kongresit Kombëtar të Popullit theksoi se penalizimet do të përfshijnë ndalimin, burgimin deri në tre vite dhe heqjen e të drejtave politike. Të tilla dënime i janë dhënë më parë edhe personave që përdhosën flamurin dhe emblemën kombëtare në publik.

Ligji do të zgjerohet tashmë edhe në rajonin gjysmë-autonom të Hong Kongut dhe në Makau. Himni kinez është fishkëllyer në ndeshje të fundit të zhvilluara në Hong Kong, ku ndjenjat anti-Pekin po rriten.

Aktivistë të demokracisë shqetësohen se ligji i ri mund të përdoret për të shtypur lirinë e shprehjes në territor, që gëzon të drejta të ndryshme nga Kina.

Vendimet vijnë pasi presidenti Xi Jinping u caktua për një tjetër mandat 5-vjeçar si lider i partisë. Xi, i cili parashtroi vizionin e tij për rritjen e pushtetit të Kinës, ka fituar imazhin e një patrioti rigoroz, i cili do të mbrojë me çdo kusht dinjitetin kombëtar.

Kritikët thonë se kjo qasje shkon krah për krah me shtypjen në rritje të kritikës dhe mospajtimit politik.
Sigal