Hollande, Merkel, Rajoy në vendin e aksidentit të avionit ‘Germanwings’

481
Presidenti francez, François Hollande, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy shkuan sot në Seyne-les-Alpes, në Alpet Franceze, pranë vendit të aksidentit të avionit, tip ”Airbus A320” të kompanisë ”Germanwings”.
Hollande dhe Merkel mbërritën me helikopterë. Atyre iu bashkuar shumë shpejt kryeministri spanjoll, i cili mbërriti me veturë.
Ndërkohë operacioni i kërkimit dhe rekuperimit të pjesëve të avionit ka rinisur, por terreni i thyer malor i vështirëson së tepërmi përpjekjet e gjetjes së pjesëve të Airbusit të copëtuar, ndaj zyrtarët paralajmërojnë se mund të zgjasë për disa ditë.
Nga ndërtimi fillestar i skemës së rrëzimit mbeten akoma mister tetë minutat e zbritjes në mënyrë të rrufeshme, por të kontrolluar, ku pilotët nuk kanë komunikuar me kullën e kontrollit. Sa vjen e zgjerohet po ashtu hipoteza e një sulmi të mundshëm terrorist.
Me 20 minutë vonesë, avioni ishte ngritur në orën 10:00 nga aeroporti ndërkombëtar i Barcelonës “El Prat”, ku kishte mbërritur një orë më parë nga Dyseldorfi. Fillimisht udhëtimi ka qenë i qetë dhe normal. Alarmi vjen disa minuta më pas nga aviacioni civil francez, sepse avioni nuk po jepte sinjale në radio. Është thirrur disa herë, por nuk kishte asnjë përgjigje.
Aviacioni francez më pas mëson se avioni kishte ndryshuar drejtim për shkak të një uljeje të kuotës dhe menjëherë më pas nis procedura e emergjencës nga ana e një avioni luftarak të aeronautikës ushtarake në funksion të antiterrorizmit, i mbështetur nga një helikopter i xhandarmërisë.
Sipas të dhënave të “Flightradar”, adresë që gjurmon drejtimet e të gjithë avionëve në udhëtim, konstatohet që mes orës 10:31 dhe 10:32, “A320” fillon të zbresë ndjeshëm. Rënia, sipas kompanisë “Germanwings”, ka zgjatur 8 minuta. Përplasja ndodh në orën 10:53.
– See more at: http://shqiptarja.com/Bota/2728/hollande-merkel-rajoy-n–vendin-e-aksidentit-t–avionit—39-germanwings–39–281157.html#sthash.kGjWaG0s.dpuf
Sigal