Hollanda nuk pranon selinë e Gjykatës Speciale të Kosovës në vendin e saj

518
Holanda nuk po pranon të nënshkruaj marrëveshjen me autoritetet e Kosovës që selia e Gjykatës Speciale të jetë në këtë vend. Gazeta Express shkruan se autoritetet holandeze po kërkojnë që Kosova së pari të anëtarësohet në Këshill të Europës, në mënyrë që të akuzuarit dhe të dënuarit eventualë të mund të ankohen Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Refuzimi i Gjykatës Kushtetuese për ta trajtuar çështjen e kushtetutshmërisë së ndryshimeve kushtetuese, që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale nuk do ta përshpejtojë funksionalizimin e Gjykatës.
Po sipas Gazetes Express një pengesë tjetër që ka dalë është refuzimi i Mbretërisë së Holandës që të nënshkruaj marrëveshjen që selia të jetë në Hagë ose Amsterdam, pasi të akuzuarit potencialë të kësaj Gjykate, nuk kanë ku të ankohen në rast të dënimeve.
Express mëson se autoritetet holandeze duan që kosovarët të cilët mund të jenë subjekt i këtyre akuzave, të kenë të drejtën e ankesës në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, një trup i Këshillit të Europës, ku Kosova nuk është ende anëtare. Autoritetet kosovare ka vite që thonë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në këtë mekanizëm paneuropian.
Çështja e anëtarësimit të Kosovës në KE, mund të shtyjë funksionalizimin e Gjykatës Speciale, e cila supozohej se do të mund të niste punën vitin e ardhshëm duke ngritur aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK’së që mund të kenë kryer krime lufte.
Në dhjetor të vitit të kaluar Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi kishte thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësimin në Këshillin e Europës në tre muajt e parë të vitit 2015, por kjo nuk ka ndodhur deri më tani.
Sipas tij, Kosova i ka plotësuar kriteret për të ndërmarrë këtë nismë. Ai kishte thënë se 34 prej 47 shteteve anëtare e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por kishte pranuar se zakonisht është një procedurë e gjatë që nga aplikimi deri te anëtarësimi në këtë mekanizëm./Gazeta Express/.
Sigal