Historiani Winkler: Ndërhyrja e NATO në Kosovë e domosdoshme

465
Winkler ka hedhur poshtë pretendimet e qarqeve majtiste se Gjermania për shkak të krimeve në Luftën e Dytë Botërore nuk duhet të marrë pjesë në asnjë intervenim me forcë të bashkësisë ndërkombëtare: “Auschwitzi nuk mund të interpretohet si e drejtë për të injoruar. Ky do të ishte keqkuptim grotesk i historisë gjermane”.
Heinrich August Winkler, njëri prej historianëve më të njohur të Gjermanisë, ka deklaruar se ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë në vitin 1999 ka qenë e drejtë. Në një intervistë për gazetën zvicerane «Basler Zeitung» Winkler tha: «Kombet e Bashkuara si mësim nga lufta në Kosovë kanë zhvilluar parimin e ‹responsibility to protect› (‹përgjegjësisë për mbrojtje›). Nëse një shtet anëtar kryen shkelje të rënda të të drejtave të njeriut intervenimi mund të jetë legjitim. Për shembull në rastin e gjenocidit në Ruandë, ku bashkësia ndërkombëtare ka dështuar tmerrshëm. Edhe ndërhyrja në Kosovë, e cila ndodhi pa mandat të OKB-së, sipas mendimit tim, ka qenë legjitime dhe e domosdoshme».
Winkler ka hedhur poshtë pretendimet e qarqeve majtiste se Gjermania për shkak të krimeve në Luftën e Dytë Botërore nuk duhet të marrë pjesë në asnjë intervenim me forcë të bashkësisë ndërkombëtare: «Auschwitzi nuk mund të interpretohet si e drejtë për të injoruar. Ky do të ishte keqkuptim grotesk i historisë gjermane». Një debat kundër intervenimit në Gjermani është zhvilluar më 1995, gjatë konfliktit në Bosnjë, dhe më 1999 – para, gjatë dhe pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ku për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania ndërhyri me ushtrinë e vet në një konflikt.
76-vjeçari Winkler ka qenë deri në vitin 2007 profesor në Universitetin e Humboldt-it në Berlin. Në janar të këtij viti në Gjermani është botuar vëllimi i katërt i veprës së tij monumentale «Historia e Perëndimit». Muajin e kaluar Heinrich August Winkler mbajti një fjalim në Bundestag me rastin e 70-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kjo ishte hera e parë në historinë e parlamentit gjerman që një historiani i bëhej një nder aq i madh.
Javën e kaluar gjatë debatit në parlamentin gjerman mbi vazhdimin e mandatit të forcave paqeruajtëse gjermane në Kosovë deputetja e partisë «Die Linke» (E Majta) Sevim Dagdelen e quajti praninë ndërkombëtare jolegale dhe kërkoi që trupat e Bundeswehrit të tërhiqen nga Kosova. Dagdelen e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) një bandë terroriste dhe akuzoi disa nga krerët e saj që tani kanë pushtet politik se janë të përzier në incidentet e fundit në Maqedoni.
Deklaratat e Dagdelen në Kosovë bënë jehonë të madhe sikur të bëhej fjalë për ndonjë risi. E vërteta është se Sevim Dagdelen ka folur me këtë vokabular antikosovar çdo vit kur në Bundestag është diskutuar për vazhdimin e mandatit të trupave gjermane në Kosovë. «Die Linke» është pasardhëse e partisë komuniste gjermano-lindore SED dhe ka qenë përherë kundërshtare e ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë, por edhe në rajone të tjera të krizës. Pas çdo intervenimi majtistët gjermanë shohin «satanin e madh», Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nxënësit e tyre europianë.
Në fjalimin e saj para deputetëve në vitin 2013 Dagdelen akuzonte qeverinë gjermane se po e poshtëronte Serbinë duke e kushtëzuar integrimin e saj në Bashkimin Europian. Ajo kërkonte të drejtën e vetëvendosjes edhe për serbët në veri. Për Dagdelen qeveria e Kosovës është administratë. Ngjashëm si Dagdelen në Bundestag bërtet prej vitesh edhe deputeti i së majtës Alexander Neu, i cili thotë se ka prejardhje «jugosllave». Neu është mysafir i rregullt i mediumeve ruse, ku atakon botën perëndimore me akuza të nxjerra nga koshi ideologjik. Në lidhje me intervenimin në Kosovë në vitin 1999 është prononcuar vitin e kaluar, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, edhe ish-kancelari Gerhard Schröder. Socialdemokrati Schröder, bashkë me ministrin e Jashtëm Joschka Fischer, ka qenë pjesë e koalicionit veriatlantik për të ndërprerë terrorin e forcave serbe në Kosovë. Në mars 2014 Schröder, i cili punon për Gazpromin rus, deklaroi se nuk duhet bërë me gisht drejt Vladimir Putinit për shkak të ndërhyrjes në Krime, sepse «këtë e kam bërë edhe vetë». Këtë ai e tha duke iu referuar pjesëmarrjes së Gjermanisë në bombardimet e NATO-s kundër Serbisë më 1999. Schröder ka theksuar se në të dy rastet – Krime dhe Kosovë – «formalisht» bëhet fjalë për shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ekspertët e të drejtës ndërkombëtare e hedhin poshtë këtë interpretim, sepse në Krime Ukraine nuk ka vrarë asnjë rus lokal, ndërsa në Kosovë Serbia ka kryer krime masive kundër popullsisë civile. Edhe referendumin në Krime për shkëputje nga Ukraina Schröder e ka krahasuar me pavarësinë e Kosovës – ndonëse në Kosovë nuk është mbajtur referendum për mëvetësi./ Dialogplus/ 
Sigal