Hillary Clinton sërish e pastër, Trump akuzon FBI-në për sjellje jo korrekte

62

Donald Trump akuzoi FBI-në për sjellje jo korrekte, pasi Byroja e Hetimeve shfajësoi për herë të dytë brenda pak muajsh rivalen e tij, Hillary Clinton për çështjen e postës elektronike.

Më herët, drejtori i FBI-së James Comey, sërish përmes një letre lajmëroi Kongresin se rishikimi i postës elektronike të Clintonit, ose rihapja e hetimit, nuk zbuloi asgjë të re për të ndryshuar përfundimin e hetimeve të verës, pra që Clinton nuk ka bërë asnjë krim.

Në krahun tjetër të fushatës, Hillary Clinton nuk e përmendi fare shfajësimin e dytë të FBI-së, por ndihmës të saj thanë se janë të lumtur që kjo çështje më në fund u zgjidh. Por kandidati republikan, i cili pak ditë më parë përgëzoi FBI-në për rihapjen e hetimit, nuk ishte aspak dakord me rezultatin e tij.

Gjatë një mitingu në Detroit, Trump këmbënguli se është e pamundur që FBI-ja të ketë shqyrtuar 650 mijë “e-mail”-e të reja në kaq pak kohë.

“Aktualisht Clinton po mbrohet nga një sistem i manipuluar. Sistemi është plotësisht i manipuluar dhe këtë e them prej kohësh. Hillary Clinton është fajtore. Ajo e di këtë, FBI e di këtë dhe populli e di këtë. Tani është në dorën e amerikanëve, që të bëjnë drejtësi me votën e dytë më 8 nëntor”, deklaroi Trump.

Publikimi i hetimit të ri nga FBI-ja vetëm 11 ditë para zgjedhjeve tronditi jo pak fushatën elektorale, ndërsa ripërtëritja e akuzave ndaj Clintonit konsiderohet gjerësisht si faktori kryesor i përmirësimit të sondazheve për Trump.

Clinton vazhdon që të ketë një avantazh prej 3 apo 4 pikësh dhe duket se kjo do të jetë diferenca me të cilën dy pretendentët për Shtëpinë e Bardhë do të shkojnë në zgjedhje, pasi zor se ka kohë për sondazhe të reja, që të vlerësojnë ndikimin në publik të shfajësimit të radhës që Clinton mori nga FBI-ja.