Helmohen me ushqim, vdesin 14 të burgosur në Taxhikistan

485
Sigal

Autoritetet e Taxhikistanit i kanë filluar hetimet pasi 14 të burgosur vdiqën për shkak të helmimit me ushqim, përderisa po transferoheshin nga rajoni verior i Sogdit në burgje të tjera në Dushanbe, Norak dhe Yovon në jug të këtij shteti.

“Gjatë transportimit, një i burgosur i ndau tri copa buke me 15 të burgosur të tjerë në Varzab. Shëndeti i tyre u përkeqësua kur arritën në Dushanbe”, thuhet në deklaratën e ministrisë së drejtësisë.

Në këtë deklaratë thuhet se 16 të burgosur, të cilët ndodheshin në të njëjtin automjet, përjetuan trullosje, mundim dhe vjellje vetëm gjysmë ore pasi i kishin ngrënë copat e bukës.

Sipas kësaj deklarate, mjekët arritën t’i shpëtojnë vetëm dy të burgosur, ndërsa Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tashmë i ka nisur hetimet për këtë rast.

Ky është rasti i dytë i vdekjes masive të të burgosurve në Taxhikistan në dy muajt e fundit. 29 të burgosur vdiqën gjatë një kryengritjeje në burgun e Vahdatit më 19 maj të këtij viti.

Taxhikistani është kritikuar vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut. Në raportin e vitit 2018, organizata “Human Rights Watch” vlerësoi se gjendja e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2017 vetëm sa është përkeqësuar, shkruan “Free Europe”.