Helmimi i ish-spiunit rus, Theresa May “ndëshkon” Putin, i dëbon 23 diplomatë

624
Kryeministrja Theresa May deklaroi sot në parlament se Britania do të dëbojë 23 diplomatë rusë pasi Moska refuzoi të shpjegonte se si agjenti nervor i prodhuar në Rusi u përdor në sulmin kundër ish spiunit rus në Salisbury.
Theresa May tha se diplomatët, të cilët kanë një javë kohë për t’u larguar nga Britania, u identifikuan si “oficerë të inteligjencës të padeklaruar”.
Kryeministrja May gjithashtu ka pezulluar të gjithë takimet e nivelit të lartë të planifikuara mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë si dhe ka anulluar vizitën e planifikuar të Ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov në Britani.
Rusia ka mohuar përfshirjen në tentativën e vrasjes së ish kolonelit të inteligjencës ruse Sergei Skripal dhe refuzoi afatin e vendosur nga Londra për të bashkëpunuar mbi rastin e tij.
Kreu i qeverisë britanike tha se Moska nuk kishte dhënë asnjë shpjegim se përse agjenti nervor ishte përdorur në sulmin ndaj ish spiunit rus në Britani dhe fajësoi Rusinë për tentativën e vrasjes së Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia më 4 mars në Salisbury.
Sigal