Hashim Thaçi: Viti 2015, vit evropian për Kosovën

462
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Hungari ka takuar edhe kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe kryeparlamentarin László Kövér. Sipas Thaçit, në këto takime të ndara bilaterale, u ka thënë atyre se viti 2015 ishte vit evropian për Kosovën.
“Sidomos tani që kemi hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave”, ka shkruar Thaçi.
“Së bashku u pajtuam që marrëveshjet për bashkëpunim ekonomik dhe për transport rrugor të udhëtarëve dhe mallrave do t’i kontribuojnë zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, ka bërë të ditur zëvendëskryeministri Thaçi nëpërmjet një postimi në Facebook.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se kryeministrin Orbán e ka falënderuar edhe për interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë e rajon dhe për gatishmërinë e Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme shtetit tonë në rrugëtimin drejt integrimit në BE dhe NATO. “Ndërkaq, vizitën zyrtare në Hungari e përmbylla me takimin me kryetarin e parlamentit hungarez, László Kövér, me të cilin biseduam për bashkëpunimin e mirë mes dy parlamenteve tona”, ka përfunduar Thaçi.
Sigal