Hashim Thaçi: Në janar Kosova anëtarësohet në Gjykatën e Arbitrazhit

444
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë të ditur se janë ndërmarrë dy veprime shumë të rëndësishme në fushën e politikës së jashtme duke depozituar aktet e aderimit në Konventën e Hagës “Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja” (thënë ndryshe Konventa e Apostilës), si dhe në konventën themeluese të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit. “Në rastin e Konventës së Apostilës ne hyjmë në një kapitull të ri të angazhimit multilateral ndërkombëtar të Kosovës, pasi bëhet fjalë për të parën marrëveshje shumëpalëshe mbarëbotërore ku vendi ynë bëhet palë”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, Konventa do të hyjë në fuqi për Kosovën më 14 korrik të vitit 2016 dhe falë saj do të hiqet kërkesa për legalizim të dokumenteve publike të jashtme, duke ua lehtësuar jetën shumë qytetarëve tanë të cilëve deri tani u është dashur të harxhojnë kohë e para për të bërë legalizime dokumentesh nëpër konsullata. “Nëpërmjet nënshkrimit të dytë, i cili hyn në fuqi më 5 janar 2016, ne bëhemi pjesë e njërës prej organizatave më të vjetra e të rëndësishme ndërshtetërore, që merret me zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Të dy këto arritje rrisin angazhimin multilateral të Kosovës dhe forcojnë ndjeshëm profilin ndërkombëtar të shtetit tonë duke konsoliduar edhe më shumë subjektivitetin tonë ndërkombëtar”, ka shkruar në fund Thaçi.
Sigal