Haradinaj: Po të pyetesha, Albin Kurti do të dilte që sot nga burgu

695
“Mbajtja e Albin Kurtit në burg për shkak të kundërshtimeve të tij politike është e padrejtë”. Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për KosovaPress. Haradinaj pohoi se po të pyetej ai, ish-lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, do të lirohej që sot. Kreu i Qeverisë e quan të pakuptimtë mbajtjen në burg të tij, ndonëse nuk pajtohet me shumë tema me Kurtin.
“E respektoj Albinin, në plot aspekte nuk pajtohem me disa tema me të, në metoda të tij, edhe në do aspekte tjera, por e respektoj. Edhe mendoj që është disi e padrejtë që ai me mbet në burg, nuk po them që, nëse unë do të vendossha ai sot do të dilte prej burgut, pra nëse do të ishte vendim i imi. Por mendoj që duhet t’i jepet një epilog përndjekjes së deputetëve për shkak të kundërshtimeve të tyre politike, edhe është mirë ta ndal këtë Kosova. Kam bërë apel, por tash s’mund të shkoj të bëhem prokuror dhe gjykatës, edhe nuk mund të hi në vendime të prokurorëve dhe gjykatësve, edhe nuk e kam atë drejt dhe nuk duhet të marrin këtë se po ndërhyj në drejtësi, por mendimi është që sa më shpejt Kosova t’i përmbyll këto përndjekje”, tha Haradinaj.
Megjithatë, kreu i Qeverisë thotë se nuk pajtohet me Kurtin që nuk po i përgjigjet gjykatës.
“E kuptoj atë, ata kanë mundur ta marrin ta çojnë një herë në gjykatë, nëse nuk vjen prapë me ta marrin e ta dërgojnë, por ndoshta nuk ka nevojë ta mbajnë brenda. Sikur e kanë marrë një herë pse ka munguar në gjykatë, shkojnë e marrin prapë. Unë nuk pajtoj që Albini nuk po i përgjigjet Gjykatës, mendoj që është gabim. Por prapë se prapë, është i zgjedhur i popullit, nuk është ndonjë kriminel ordiner. Shpresoj që drejtësia jonë do t’i liroj që t’i presin festat në shtëpi, atë e Donikën..”, shtoi ai.
Në këtë intervistë, Haradinaj flet edhe për dialogun më Serbinë, proces për të cilin thotë se nuk e sheh vetën të përfshirë. Kreu i ekzekutivit pajtohet që presidenti i vendit Hashim Thaçi të përfaqësoj Kosovën në dialog, por me pjesëmarrjen edhe të partive politike, edhe të zyrës së kryeministrit.
Sigal