Haradinaj kërkon më shumë investime amerikane në Kosovë

509
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti përfaqësuesit e kompanive më të mëdha amerikane që operojnë në Kosovë, të cilat janë anëtare të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Këto kompani dhe përfaqësitë e tyre, ofrojnë punësim për rreth 25 mijë punonjës kosovarë dhe kanë qarkullim vjetor prej 2.5 miliardë euro.
Zyra e Kryeministrit Haradinaj njofton se në këtë takim u diskutuan disa nga temat kryesore lidhur me hapjen e rrugëve për zhvillim ekonomik e për investime të reja në Kosovë, si edhe për mbrojtjen e prodhimit, kontrollin e kualitetit të produkteve, furnizimin stabil me energji elektrike, etj.
Në takim u arrit pajtueshmëri që themelimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ishte shumë e nevojshme, duke i ofruar rinisë së Kosovës mundësinë që të jenë pjesë e zhvillimit si pjesa tjetër e botës.
Oda Ekonomike Amerikane ia dorëzoi kryeministrit Haradinaj një dokument me rekomandime konkrete për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.
Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, ministri i Zhvillimit Ekonomik, ministri i Tregtisë dhe Industrisë dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Sigal