Haradinaj i jep “bekimin” Thaçit për dialog me Serbinë, pranon platformën e re

544
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka çuar në zyrë presidentit Thaçi, platformën që e mandaton këtë të fundit për ta udhëhequr dialogun me Serbinë. Thaçi thotë se kjo fazë e dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme.
“Sot e pranova nga kryeministri Haradinaj platformën shtetërore të Republikës së Kosovës për finalizimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Finalizimi i dialogut është një mundësi e mirë për Kosovën që të afrohet me Bashkimin Evropian dhe të forcojë edhe më shumë subjektivitetin ndërkombëtar”, shkruan Thaçi.
Sipas tij, kjo fazë e dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, e cila i mundëson Kosovës anëtarësimin në OKB, por edhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe duke ecur përpara pa u penguar si shtete fqinje drejt integrimeve euroatlantike.
“Ekipi ynë në këtë fazë përfundimtare të dialogut do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ketë bashkëpunim e koordinim të plotë të të gjitha institucioneve të vendit. Ne jemi të përkushtuar që të kontribuojmë në stabilitetin rajonal dhe në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet fqinje”, ka thënë ai.
Sigal