Haradinaj: E ruajtëm të drejtën për Çakorr dhe Kullë

75
Në kuadër të manifestimit qendror “Epopeja e Dukagjinit”, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan dhe mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.
Në këtë manifestim, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve të Kosovës, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se rrethimi që ka ndodhur në Gllogjan në atë kohë nuk ka qenë i lehtë, por është gjetur një dalje, e dalja është gjetur sepse e kemi dashur jetën e kemi dashur lirinë.
“Në rrugën tonë deri në liri kemi parë gjithë ato tmerre që i ka lufta, kemi parë trimëri që nuk përshkruhet e djem të zotë prej atyre që nuk janë të gjallë, por edhe prej të gjallëve. Por ajo që kemi parë është një fuqi e madhe e njeriut të kësaj toke për të mbetur të lidhur me këtë tokë, për të mos e harruar dhe për të mos e lëshuar këtë tokë”, ka thënë Haradinaj.
“Këtë e kemi parë edhe pas qershorit 1999 kur është kthyer populli. Është diçka që ka befasuar gjithë botën. Kanë pritur plotë që nuk do të kthehen shqiptarët në vendin e vet. Por janë kthyer të gjithë. Pse po i jap peshë kësaj. E kemi pasur një rrethim që tre vjet, populli jonë, ka qenë në rrethim. E gjithë bota ka lëvizur lirshëm, e gjithë Evropa, fqinjët tanë, vetëm ne të rrethuar”, tha ai.
“Për ta qarë atë rrethim, kam parë njerëzit e mi duke pritur para ambasadave dhe më ka ardhur keq dhe nuk kam dashur që ta hapë rrethimin sikur në kohërat e vështira kur e kishim popullin civil me ne e me e humb luftën. I kemi rënë të tëra rrugët”.
“Kemi shkuar nëpër miq, kemi folur ndërmjet vete, sikur vëllezër që jemi të këtij vendi, që edhe me e çlirua njeriun tënd, pra me fitua të drejtën me lëviz lirshëm, por edhe e ruajtur të drejtën në tokën tonë, e me e ruajt të drejtën për Çakorr, Kullë, ashtu siç ka qenë më herët”, tha Haradinaj.
Më tej ai tha e “kjo nuk është bërë duke mashtruar askënd, as vendorët as ata të jashtëm. Edhe Mali i Zi edhe ne, i kemi ndarë drejtimet dhe ato janë euroatlantike dhe dëshirojmë të hymë në Evropë, në NATO. Mali i Zi ka hyrë në NATO dhe është në të mirën tonë, shqiptarëve, Shqipëria është në NATO dhe edhe ne kemi për të hyrë në NATO”.
Haradinaj ka thënë se “Ka filluar mijëvjeçari i ri, i shqiptarëve. Jemi në shekullin e parë, jemi në nisje, jemi të lirë, jemi duke u bashkuar me familjen tonë, të popujve të lirë dhe, në këtë rrugë do të ketë teposhtëze dhe përpjetëze, por ne nuk do të ndalemi, sepse e dimë për ku jemi nisur”.
“Jemi nisur për të qenë të lirë, për të gëzuar të drejtën tonë, në tokën tonë dhe për t’i takuar popujve të lirë. Askush më nuk ka për të mundur që të robërojë shqiptarët”, tha ai.
“Ka edhe diçka dhe këtë e them ashtu siç fola edhe për NATO-n. Populli, njerëzit më kanë thënë, paska Zot, që me 24 mars ’99 kur e na dëgjuar zhurmën në qiell, paska zot për NATO-n”, tha Harasdinaj, duke shtuar se “Shqiptarët janë popull që dinë me i ruajtur ata që jetojnë me ta”.
Më tej Haradinaj tha se” Kosova e pavarur e sovrane, me ushtrinë e vet, anëtare e BE-së, e NATO-s, nuk është rrezik për askënd që jeton në këtë tokë, është vetëm ndihmë për të shkuar kah më shumë siguri dhe kah më shumë zhvillim”, tha ndër të tjera Haradinaj.