Haradinaj: E pranova kërkesën e panevojshme të LDK-së për Ligjin e demarkacionit

690
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë të jashtëzakonshme drejtuar mediave, ka bërë me dije se ka pranuar kërkesën e LDK-së se “Raporti i Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi të përmendet në ligj vetëm ‘si orientim’”.
Haradinaj ka thënë se ky ligj përmban si orientin, përveç Raportit të Komisionit Shtetëror, edhe deklaratën e presidentëve.
“Unë kam bërë një lëvizje politike. Kam arritur një dakordim me LDK-në, dhe kërkesa e tyre është kjo, që raportit t’i shtohet fjalia ‘shërben si orientim’. Besoj që me këtë u kemi hapur rrugë deputetëve që të lëvizin para. Pra vetëm ‘shërben si orientim’ është shtuar në këtë ligj”, ka thënë Haradinaj në adresimin e vonë para mediave.
Ai tha se me Listën Serbe ende nuk kanë konsensus për sa i përket votës së tyre për demarkacionin.
I pyetur nëse kjo lëvizje e tij ka ardhur si pasojë e presioneve nga Bashkimi Evropian, Haradinaj nuk ka pranuar të përgjigjet direkt, ndërsa ka thënë se “për bindjen time është e panevojshme kjo shtesë e LDK-së. Por, nëse kjo është kërkesë e tyre për të përkrahur ligjin, unë e mbështes, por për mua mbetet e panevojshme”.
Ai e ka quajtur ndryshim substancial dhe tha se janë krijuar kushtet që të mërkurën të mbahet seanca dhe të votohet demarkacioni.
Kujtojmë se kryeministri Haradinaj, në seancën e fundit djeshme të Kuvendit të Kosovës, ka prezantuar projektligjin për demarkacion të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Por, gjatë kohës së prezantimit të kësaj marrëveshje, Haradinaj akuzoi LDK-në për bllokim të procesit të ratifikimit, duke i akuzuar ata se po iu dhemb shpërfaqja e së vërtetës me raportin e komisionit të Shpejtim Bulliqit.
“E para, pra ligji që ka ardhur tek ju, e ratifikon marrëveshjen e 26 gushtit të viti 2015. Qeveria e Kosovës ka miratuar një komision, i cili nuk është as i imi e as i babës Ilmi. Cili është problemi, ku po ju dhemb nëse hiqen dilemat për këtë marrëveshje? Qetu e keni problemin ju! Marre ju qoftë! Sa të jem unë kryeministër, ky raport do të jetë. Asnjë shkronjë nuk i hiqet këtij ligji”, ka thënë Haradinaj para deputetëve.
Sigal