“HAJD PARKU” I VETONIT

1099
Sigal

Vetoni, i ulur diku në një qoshe të ndërtesës së Rilindjes, të nxirë nga tymi i cigareve “Bozhur” dhe me një makinë shtypi Olimpia para vetës, kishte vendosur që në baza individuale ta parandalonte ekspansionin politik europian më në lindje të Austrisë. Ja si e sheh ai lirinë e shprehjes dhe Jugosllavinë e Titos, në fund të vitit 1986. I riu Veton Surroi, fare në fund të vitit 1986, kishte vendosur të merrej me tema kapitale, me të cilat kryesisht merreshin veteranët e politikës jugosllave, që në shtëpi të tyre i kanë pasur së paku një palë rroba të partizanëve me plot dekorata, të cilët për çdo 29 nëntor dukeshin si bredha të Vitit të Ri. Kjo ishte periudha kur Jugosllavia, dhe të gjithë popujt që e përbënin federatën, po bëhej gati që të eksplodonte nga brenda. Ishte koha kur Millosheviçi kishte hipur në skenën kryesore të politikës. Ishte koha kur Kosova po qeverisej, edhe në nivel lokal, edhe në nivel federativ prej një klase politike shqiptare me mungesë të theksuar të boshtit kurrizor. Dhe në ketë vorbull kishte vendosur të hidhej me plot entuziazëm në skenën politike, përmes gazetës Rilindja, edhe Vetoni. Mision i tij i parë, siç shihet prej shkrimeve të tij, kishte qenë plandosja e borgjezisë, që nënkupton rrymave borgjeze brenda Federatës Jugosllave, që nënkupton prerja e kokës e të gjithë atyre që në një formë a në një tjetër synim kishin që ta imitonin rregullimin politik të Europës apo të SHBA-ve në shtetin jugosllav. Vetoni, sigurisht i ulur në një qoshe të nxirë nga tymi i cigareve Bozhur në ndërtesën e Rilindjes me një makinë shtypi Olimpia para vetës, kishte vendosur që në baza individuale ta parandalonte ekspansionin politik europian më në lindje të Austrisë. “Një kumtesë e një mbledhjeje dyditëshe të udhëheqjes më të lartë shtetërore dhe të LKJ’së (Lidhja Komuniste e Jugosllavisë), e shpallur në tetor, vë në shënjestër një problem real, e i cili ka marrë dimensione të tilla sa që do të meritojë vëmendjen e aksionit politik, e një aksioni të plotë e të koordinuar në të gjitha aspektet. Është fjala për një platformë të organizuar në mesin e forcave antiqeverisëse dhe antisocialiste, e cila quhet e djathta borgjeze dhe e cila duke përdorur emocionin nacionalist si shtizë përpiqet me ngulm të thyej për së brendmi sistemin politik të vetëqeverisjes socialiste, rrugën e trasuar të gjertanishme të zhvillimit të federatës jugosllave si shtëpi të përbashkët të kombeve dhe të kombësive të Jugosllavisë”, kështu kishte nisur fejtonin e tij katërditor Vetoni. Duke identifikuar armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, që po e rrezikonin shtëpinë e përbashkët Jugosllave. Shtëpinë e tij të përbashkët. Dikush mund të pyesë se për çfarë arsye po merrem tash me të kaluarën e Vetonit. Pse po ribotoj fragmente të caktuara të shkrimeve të tij të shkruara në gazetën Rilindja me datën 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor të vitit 1986? Sepse Vetoni në shkrimet e tij të fundit merret saktësisht me këto tema, pas rreth 26 viteve. Në fejtonin e tij të botuar në gazetën e familjes së tij, dhe të tijën, ai flet për komunizmin, flet për rolin e Komitetit dhe të Dragodanit, flet për lirinë e shprehjes. Flet për shumë gjëra, që gjithashtu kishte folur edhe para 26 viteve. Meqë, Vetoni nuk është distancuar asnjëherë prej të kaluarës së tij prej një sahanlëpirësi jugosllav – ndoshta i fundit jugosllav që besonte edhe më tutje në atë kreatur të shëmtuar – atëherë pse të mos ia kujtojmë atij dhe të gjithë të interesuarve se në të vërtetë çfarë paska qenë roli i Vetonit në shtetin, që bota demokratike i referohet si diktatorial. Është mirë që t’ia kujtojmë Vetonit se cilat kanë qenë qëndrimet e tij për sistemin shumëpartiak – që është shtylla bazike për demokracinë? Cilat kanë qenë qëndrimet e tij për ekonominë e tregut – që është treguar të jetë shtylla bazike për zhvillimin ekonomik? Dhe cilat kanë qenë qëndrimet e tij për lirinë e shprehjes, temë të cilën me shumë dëshirë e ka rrahur kohëve të fundit? Kështu, Vetoni sistemin shumëpartiak dhe lirinë e shprehjes e krahason në shkrimin e tij me Hajd – Parkun. Ja si tallet Surroi me lirinë e shprehjes: “Parku Hajd, apo Hajd Parku siç e quajnë anglezët gjendet në Londër dhe është i njohur si një tribunë e hapët, ku çdokush, e me mendimet edhe më të skajshme mund t’i drejtohet auditoriumit, i cili mblidhet për të dëgjuar oratorin, sipas interesimit, por edhe për argëtim. Për shumëkë simbol i demokracisë, meqë çdokush mund të flas çdo gjë, Hajd – Parku është më shumë simbol i padepërtueshmërisë të fjalës së shqiptuar publikisht, është simbol i një mungese gati totale të lidhjeve mes interesit të shtresave më të ulëta popullore dhe qendrave të vendosjes në sistemin politik. Si i tillë Hajd – Parku pa kurrfarë orientimi, as që ia vret kujt syrin nga këto qendra dhe ka mbetur një atraksion politik”. Pra, sipas Vetonit në shtetet perëndimore demokracia paraqet një kaos të vërtet. Ai dëshiron të theksoj se atje duke folur të gjithë njëherësh nuk dëgjon askush. Pra, sipas tij, kjo është një hile politike, e qeverive perëndimore, me anë të të cilës ata e zhvendosin vëmendjen, duke lejuar që të gjithë të flasin pa rend. Vetoni kërkon rend. Ja çka thotë, tash në kontekstin jugosllav, për lirinë e shprehjes: “Hajd – Parku, në terminologjinë tonë politike, ose përpjekjet për të themeluar një ‘Hajd Park’ të përgjithshëm në sistemin tonë politik, kanë domethënien e përpjekjeve për themelimin e demokracisë dhe lirisë abstrakte, pa kurrfarë orientimi ideor, dhe, fundja, kthim në një sistem politik, të cilin e ka pasur Jugosllavia e vjetër e i cili e çoi atë në vetëshkatërrim”. A e lexuat me vëmendje? Edhe pse nuk kërkon kushedi se çfarë vëmendje për ta kuptuar. Pra, Vetoni, ka menduar në atë kohë se Jugosllavinë e vjetër e ka shkatërruar vetëm “Hajd Parku”, ose liria e madhe që ka ekzistuar, si ajo politike, po ashtu edhe liria e shprehjes. “Këto forca, në Jugosllavinë e re, humbën legalitetin dhe mbeten atje ku ishin gjatë luftës, në emigracion”, shkruan Vetoni. Në fund të vitit 1986, kur fryma e ndryshimeve tashmë kishte filluar në mbarë Europën Juglindore, Veton Surroi Jugosllavinë e pasluftës së Dytë Botërore, që pothuajse të gjithë po ia numëronin ditët, e quante Jugosllavi të re. Në fund të vitit 1986, kur përfaqësuesit e të gjitha republikave ishin ulur veç e veç e po vizatonin harta se kush do ta shqyente më të madhe hisen e Republikës dhe ta braktiste shtetin sa nuk ishte shembur, Vetoni fliste si zëri i arsyes. Kërkonte mirëkuptimin për t’i ndihmuar federatës.

*Autori është: Deputet i PDK-së në Parlamentin e Kosovës. Qëndrimet e shprehura në këtë kolumnë, janë personale. Dhënë për “Exspress” të Kosovës