Hahn në Shkup për të bindur Ivanovin për dhënien e mandatit

450
Komisioneri evropian për fqinjësi dhe zgjerim Johanes Hahn të martën do të vij në Shkup. Bashkë me të do të jenë edhe eurodeputetët Flekenshtajn, Kukan dhe Vajgëll. Sipas zëdhënëses së KE-së Maja Kocijançiq, vizita e Hahnit bashkë me eurodeputetët ka për qëllim ritheksimin e pozicionit të BE-së për respektimin e vullnetit zgjedhor dhe formimin e qeverisë e cila do të zbatojë pikat nga marrëveshja e Përzhinos.

“Komisioneri evropian Johanes Hahn më 21 mars do të udhëtojë për në Shkup. Bashkë me Hahnin do të jenë edhe tre eurodeputetët, Knut Flekenshtajn, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgëll. Bashkërisht do të takohen me përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare si dhe me Presidentin Gjorge Ivanov”, deklaroi Maja Kocijançiq, Zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Reagimet dhe vizitat tashmë të shpeshta të faktorit ndërkombëtar drejtë Maqedonisë, sipas ish-diplomatëve tregojnë edhe njëherë se ndërkombëtarët janë më të interesuar për stabilitetin e Maqedonisë se sa vetë strukturat politike. Sipas Muhamed Halilit, faktori ndërkombëtare nga Maqedonia kërkon thjeshtë respektimin e Kushtetutës.

“I bëhet me dije funksionarëve të lartë shtetërore se është kohë e fundit dhe se është e tepruar. Maqedonia nuk mund të ekzistoj pa qeveri dhe se ajo duhet të bëhet sa më shpejtë dhe se e njëjta duhet të formohet nga ata të cilët kanë arritur të formojnë shumicën në Kuvend, ashtu siç e parasheh Kushtetuta” – u shpreh Muhamed Alili, Ish-diplomat.

Nga ana tjetër ish diplomati Risto Nikovski thotë se komuniteti ndërkombëtare ndaj Maqedonisë po bën politikë bllokimi duke mos i lënë anësh standardet e tyre të dyfishta.

“Që të kuptohen reagimet ndërkombëtare dhe presioni i furishëm përballë të cilit gjendemi si pasoj e tyre, duhet të dihet se faktori ndërkombëtar e posaçërisht Brukseli dhe Uashingtoni kanë interesa tjera nga interesat e këtij shteti. Nëse ato respektojnë të drejtën dhe demokracinë, nuk do të kishin luajtur ndaj nesh politika bllokimi” – theksoi Risto Nikovski, ish-diplomat.

Ditë më parë, shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Popovski në Këshillin e përhershëm të OSBE-së hasi në kundërshtime të qarta diplomatike nga OSBE-ja dhe zyra e delegacionit të SHBA-së në OSBE. Ndonëse Popovski reflektoi retorikë optimiste në lidhje me mundësitë e kthimit të dialogut në institucione, nga OSBE-ja mori vërejtje për retorikë nxitëse të VMRO-DPMNE-së dhe u sugjerua për respektim të parimeve demokratike, duke potencuar këtu edhe respektimin e vullnetit të shumicës për formimin e qeverisë së re.
Sigal