Hahn në Shkup, mundësia e fundit për marrëveshje?!

450
Eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Hahn, ka mbërritur mbrëmë në Maqedoni, në atë që shihet si një mundësi e fundit për të zgjidhur krizën politike në vend. Sipas njoftimit në axhendën e Komisionit Europian, Hahn pritet të takohen në orën 19:15 me katër liderët e partive politike, kryeministrin Gruevski, liderin e opozitës Zaev, si dhe kryetarët e dy partive shqiptare, Ahmeti dhe Thaçi, pasi më parë të ketë zhvilluar takime të veçanta me ta.
Hahn është i shoqëruar në Shkup edhe nga treshja e eurodeputetëve Riçard Houit, Ivo Vajgël dhe Eduard Kukan. Hahn ishte ndërmjetësuesi dhe garanti i marrëveshjes së 2 qershorit, sipas të cilës Maqedonia shkon në zgjedhje të parakohëshme brenda vitit 2016, por ajo u konsiderua e dështuar pasi opozita thotë se kryeministri Gruevski nuk po respekton pikën e largimit nga posti të paktën gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve për të lejuar organizimin e tyre nga një qeveri kalimtare.
Sipas mediave maqedonase, Zaev ka paralajmëruar që nëse sot nuk arrihet marrëveshje për zgjidhjen e problemeve atëherë do të ketë përshkallëzim të masave radikale.
Edhe ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Viktoria Njuland, në takimin e të hënës në mbrëmje me kryeministrin Gruevski, theksoi se është koha që palët të bien më në fund dakord për problemet e pazgjidhura.
Sigal