Gruevski paralajmëron: Në vend mund të ketë trazira ndëretnike

462
Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka paralajmëruar se gjendja e sigurisë në vend është vënë në rrezik nga shërbimet e huaja të cilat i akuzoi se i ka dhënë liderit të opozitës, Zoran Zaev materialet që po i publikon në konferencat për shtyp.
Bisedat e përgjuara sipas Gruevskit janë të montuara, manipuluara dhe jo autentike. Rreziku më i madh që paralajmëroi Gruevski vjen pas publikimit të bombave që prekin marrëdhëniet ndëretnike. 
“Ka tentim për rrezikimin e sigurisë së vendit. Jo rastësisht u paralajmërua edhe publikim i bisedave të krijuara lidhur me çështje ndëretnike, punë të ndjeshme, të cilat nëse në atë mënyrë priten, ngjiten, manipulohen, gjithsesi se mund të krijojnë situata të caktuara të ndjeshme tek qytetarët, ti manipulojnë ata, ti vënë në huti dhe të tentojnë të nxisin agresivitetin e tyre, reagimin e tyre”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Këto komente ai bëri në seancën parlamentare “pyetje të deputetëve” ku Roza Tupuzova Karevska pyeti Gruevskin nëse ka plan për nxjerrjen e vendit nga kriza. Plani i tij për zgjidhjen e kësaj situate është ndëshkimi i personave që sipas tij kanë incizuar, përpunuar dhe publikuar materialet që kohëve të fundit publikohen nga opozita.
“Gjithsesi se kemi plan. Plani është që secili që në çdo lloj mënyre e ka shkelur ligjin edhe me regjistrimin e materialeve ilegale, me transmetimin e tyre edhe me çfarë do hap tjetër për të cilin do të gjinden argument se ka shkelur ligjin, të përgjigjen para institucioneve”, deklaroi kryeministri Gruevski.
Ai akuzoi liderin e opozitës, Zoran Zaev se është shndërruar në instrument të shërbimeve të huaja dhe se qëllimi i Zaevit është marrja e pushtetit. 
Sigal