Gruevski nuk dorëzohet: Nuk kam ndërmend të japë dorëheqjen

146
Partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE ka mbajtur një tubim masiv dje në Shkup, për të dëshmuar mbështetjen e qytetarëve ndaj qeverisë. Sipas mediave të afërta me pushtetin, ky ka qenë tubimi më i madh në historinë e Maqedonisë dhe në të morën pjesë mbi 90 mijë qytetarë. Para të pranishmëve, Gruevski tha se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqjen. “Maqedonia nuk është e Nikolla Gruevskit apo e Zoran Zaevit. Maqedonia është e këtij popullit. Këta qytetarë janë përgjigja më e mirë për të gjithë skenaristët që besojnë se do të na thyejnë, se do të na shpërlajnë trurin, se do të na gënjejnë me incizime të krijuara, se do të na frikësojnë me banda terroriste, se do të na përkulin, se do të dorëzohemi. Por, sot të gjithë ata e marrin përgjigjen: Maqedonia nuk dorëzohet, Maqedonia është e fuqishme”, tha Gruevski. 
Kryeministri i Maqedonisë tha se qytetarët nuk e dëshirojnë destabilizimin e vendit dhe kjo, sipas tij, u dëshmua edhe në Kumanovë. Ai, theksoi se kundërshtari i tij Zoran Zaevi po përdor skenarë destruktivë për të arritur postin e kryeministrit, por sipas Gruevskit, një gjë të tillë nuk do ta lejojnë qytetarët. “Maqedonia nuk ka potencial për konflikt dhe destabilizim, sepse qytetarët nuk e dëshirojnë një gjë të tillë. Populli, të gjitha bashkësitë etnike dëshirojnë paqe dhe prosperitet. Kjo u dëshmua gjatë sulmit terrorist, kur edhe përkundër shumë thirrjeve të terroristëve për ndihmë, askush nuk i përmbajti dhe populli tregoi se ajo që ndodhi nuk ishte betejë ndëretnike, por përleshje mes policisë me një bandë kriminale-terroriste që tanimë është asgjësuar”, shtoi Kryeministri i Maqedonisë. 
Në mitingun që u mbajt para godinës së Parlamentit në Shkup, në radhët e para ishin të rreshtuar ministrat maqedonas, kryetarët e komunave që drejtohen nga VMRO-DPMNE-ja, si dhe drejtuesit e partive më të vogla që janë në koalicion me Gruevskin. Në afërsi të Gruevskit janë parë edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordanan Jankullovska dhe ish-shefi i Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov, të cilët ditë më parë dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre shtetërore.