Gruaja më e moshuar që ka shkuar në hapësirë, kthehet sonte në Tokë

91
Kur astronautja amerikane Peggy Whitson të kthehet në Tokë sonte në mbrëmje nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, ajo do të ketë kaluar më shumë kohë në hapësirë se çdo amerikan tjetër.
57-vjeçarja Whitson, do të ketë kaluar 665 ditë në hapësirë gjatë tre misioneve të ndryshme, ose rreth një vit dhe 10 muaj jashtë atmosferës së Tokës. Ajo është gruaja më e moshuar që ka shkuar në hapësirë.

Whitson, e cila është biokimiste, e filloi misionin e saj të tretë dhe të fundit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës nëntorin e kaluar.

Gjatë misionit, ajo kreu disa ecje në hapësirë dhe është gruaja e parë që e komandon dy herë stacionin e hapësirës.

Whitson pritet të zbresë në Tokë, në Kazakistan, me një kapsulë ruse Soyuz. Prej andej ajo do të shkojë në Gjermani dhe më pas do të kthehet në Shtetet e Bashkuara, qytetin e saj Hjuston.