Greqia u dërgon autoriteteve franceze të dhënat e 180.000 refugjatëve

485
Autoritetet greke u kanë dërguar homologëve francezë të dhënat biometrike të më shumë se 180.000 refugjatëve që kanë kaluar ose ndodhen në Greqi. Ky veprim u bë në kuadër të hetimeve për sulmet terroriste në Paris, në nëntor 2015, që shkaktuan 130 viktima.

Të dhënat biometrike të 180.000 refugjatëve kanë udhëtuar brenda një zarfi diplomatik, nga Athina në Paris. Numri u korrespondon refugjatëve që kanë hyrë në Greqi në intervalin nga 1 gushti 2015 deri në 12 nëntor të atij viti, një ditë para se në Paris të shënoheshin sulmet terroriste, ku humbën jetën 130 qytetarë dhe u plagosën më shumë se 350.

Nga hetimet rreth këtyre akteve, ka rezultuar se disa prej terroristëve të shtetit islamik kishin hyrë në Greqi të kamufluar si refugjatë sirianë dhe ishin strehuar së pari në ishullin grek Leros e prej andej ishin shpërndarë nëpër Europë.

Në një shkresë zyrtare dërguar autoriteteve greke, prokurorët francezë nënvizojnë se “ka shumë gjasë që terroristë të tjerë të gjenden në territorin europian, të gatshëm për të ndërmarrë aktivitet”.

Pas marrjes në dorëzim të diskut me të dhënat e 180 mijë refugjatëve, Drejtoria e përgjihshme e Sigurisë së Jashtme (DGES), do t’i krahasojnë fotografitë, emrat dhe shenjat e gishtrinjve me ato të personave që dyshohet se kanë lidhje me shtetin islamik dhe që janë evidentuar gjatë hetimeve që kanë zgjatur me muaj.

Sipas shtypit grek, përveç kamikazeve të Parisit, rrugën e Greqisë kanë shfrytëzuar për të hyrë në brendësi të Europës edhe terroristët që kryen sulmin në Bruksel, në mars 2016.

Dhe më tej, mjaft luftëtarë të shtetit islamik kanë kaluar nëpërmjet “itinerarit ballkanik”, me destinacion sërish Europën, ku vlerësohet se mund të veprojnë në çdo moment që do të konsiderojnë të përshtatshëm.
Sigal