Greqia, Telekonferencë të mërkurën. Dijsselbloem: Kërkuan ndihmë afatmesme

438
Eurogrupi, ku përfshihen ministrat e Financës nga vendet e monedhës së përbashkët europiane, do të zhvillojë një telekonferencë mëngjesin e së mërkurës, për të diskutuar mbi një kërkesë të pritshme të Greqisë për një hua afatmesme nga Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM).
Lajmi bëhet i ditur nga kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, njëkohësisht edhe ministër i Financave i Holandës, i cili teksa është pyetur se përse nuk ka qenë e mundur ta zhvillonin këtë diskutim gjatë takimit të së martës në Bruksel, ka thënë se ministrat kanë qenë në pritje të një letre të re nga qeveria greke, por kjo e fundit paraqiti vetëm një letër të qartë propozimi.
“Kemi folur me kolegun tonë të ri grek (Tsakalotos) – tha Dijsselbloem. – Ai nuk na ka prezantuar ende propozimet e kërkuara, por fillimisht paraqiti përpara nesh një kërkesë tepër të shpejtë për ndihmë nga ESM-ja dhe, teksa pret përgjigje mbi këtë çështje, do të prezantojë edhe propozimet në emër të palës greke”.
“Shpresojmë të arrijmë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur. Mëngjesin e së mërkurës do të kemi një telekonferencë, për të biseduar mbi këtë letër, e cila përfaqëson një kërkesë formale për ndihmë nga ESM-ja, për të nisur edhe procesin e negociatave. Hapi i parë do të jetë të pyeten institucionet financiare për të vlerësuar situatën financiare, nevojat financiare në Greqi, e më pas do të kemi një tjetër mbledhje të Eurogrupit për të vendosur nisjen formale të bisedimeve”, tha kreu i Eurogrupit.
Sigal