Greqia rikthen sistemin kompjuterik të lejeve për emigrantët

660
Ministria e Emigracionit në Greqi rivuri në funksion sistemin kompjuterik pas një defekti të rëndë që kishte paralizuar shërbimet e emigracionit në të gjithë Greqinë që prej 18 Janarit.
Emigrantët shqiptarë do të kenë mundësi të ndjekin procesin e daljes së lejeqëndrimeve të reja, aplikimet për ripërtëritjen e tyre dhe praktika që më parë i kryenin përmes sistemit në Drejtoritë greke të Emigracionit në disa rajone të Greqisë.
Si pasojë e bllokimit të sistemit, qeveria greke vendosi pak ditë më parë të shtyjë për një periudhë pesë mujore një numër të madh lejeqëndrimesh të emigrantëve, që kanë skaduar pas 18 dhjetorit të vitit të kaluar, si dhe ato që pritet të skadojnë deri më 28 shkurt. Kjo pasi emigrantët që nuk do të mundnin të ripërtërinin lejet e qëndrimit rrezikonin statusin e qëndrimit në Greqi. Por vendimi nga ana tjetër nuk ka rregulluar për një kategori të gjerë emigrantësh shqiptare që kërkojnë të udhëtojnë jashtë Greqisë, derisa leja e tyre e qëndrimit të përtërihet mbi bazë të praktikave normale. Greqia është vendi me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë që emigruan pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri në vitet nëntëdhjetë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme greke, numri i emigrantëve të ligjshëm në këtë vend është rreth 580.000 persona. Komuniteti i emigrantëve shqiptarë përbën 69% të emigrantëve ligjorë në Greqi, me rreth 400 mijë emigrantë.
Vitet e fundit shumë emigrante shqiptarë, për shkak të krizës ekonomike greke, kanë emigruar në vendet e tjera europiane. Ndërkohë megjithe liberalizimin e lëvizjes pa viza drejt Greqise një kategori e madhe shqiptarësh synojnë të kalojnë në Greqi në mënyrë të paligjshme për të përfituar punësim sezonal.
Gjatë vitit 2017 emigrantët e paligjshëm shqiptarë përbënin pjesën dërmuese të emigrantëve të riatdhesuar nga policia greke. Sipas të dhënave policore greke, rreth një mijë shqiptarë të futur pa dokumente të rregullta në Greqi u riatdhesuan cdo muaj të vitit të shkuar nga polica greke, për në Shqipëri.
Sigal