Greqia, Monti: Athina po gabon, por Brukseli të tregohet më tolerante

424
Ish-kryeministri italian në kohën më të rëndë të krizës ekonomike në vendin fqinj, Mario Monti në një intervistë për “Corriere della Sera”, është shprehur kritik edhe ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore Europiane dhe Bashkimit Europian. Lidhur me situatën në Greqi, Monti vlerëson se, përgjegjësia kryesore bie mbi Athinën, por nga ana tjetër, edhe Europa duhet të tregohet më tolerante.
“Sigurisht, Nëse situata është kaq e komplikuar, përgjegjësia është më shumë e Athinës sesa e Brukselit. E qeverive të dekadave të fundit dhe e Tsipras e Varoufakis, që në pak muaj, me sjelljen e tyre egocentrike, kanë krijuar simpati me fitoren elektorale. Këtu ka një ngatërresë. Trojka nuk është Europa dhe jam më i bindur se kurrë që kam bërë gjënë e duhur kur i imponova Italisë atë sforcim që na bëri ta shmangnim Trojkën”, ka thënë Monti.
Në pikëpamjen e atij që njihet si “kryeministri i krizës”, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të dalë fituese vetëm nëse mban Greqinë brenda euros dhe favorizon marrëveshjen. “Por nëse krijohet ndjesia se Merkel dhe ministri Schauble nuk e kanë dashur marrëveshjen, atëherë në Europë do të ketë një revoltim të shpirtrave, një skenar dramatik, si për Europën dhe për Gjermaninë”, ka shtuar Monti. 
Në vlerësimin e tij, Monti thotë se, dalja e Greqisë nga Eurozona do të ishte një përvojë tërësisht e re për të gjithë. “Është e vështirë të parashikosh reagimin e tregjeve nëse preket siguria e pathyeshmërisë së monedhës së përbashkët. Dikush mund të tundohet për të vënë në lojë vende të tjera”, ka shtuar Monti.
Sigal