Greqia injoron BE: Nuk do marrim parasysh asnjë thirrje jorealiste

455
Greqia nuk ka ndërmend të marrë parasysh asnjë thirje për të marë të tjera masa për situatën ekonomike. Zëdhënësi i Kryeministrit ka deklaruar se vendi nuk do shkojë as në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe madje as nuk do ulë pensionet. Thirjet e disa liderve të BE kishin të bënin me shqetësimin për falimentin e vendit dhe daljen nga Eurozona.
Greqia nuk do të thyhet përpara kërkesave të kreditorëve ndërkombëtarë për të ulur pensionet dhe rritur taksat, duke hedhur poshtë thirrjet e figurave kryesorë të Bashkimit Europian të shqetësuar për falimentimin e vendit dhe daljen nga Eurozona.
Zëdhënësi i kabinetit Tsipras bëri gjithashtu të qartë se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ndërsa kryeministri Tsipras deklaroi për një gazetë vendase se kreditorët duhet të bëhen realistë, pas dështimit të bisedimeve të dielën.
Kryetari i parlamentit gjerman, Martin Shulc, tha se ka ende kohë për të realizuar një marrëveshje, por i bëri thirrje Ministrit grek të Financave, Janis Varufakis, që të bëjë detyrat e shtëpisë dhe të mos merret me ture dhe fjalime nëpër Europë.
Eurokomisioneri Gynter Wtinger, tha nga Berlini se Europa duhet të përgatitet për gjendje emergjence në Greqi nëse nuk plotëson kushtet, ndërsa presidenti francez, Fransua Holond, pranoi se gjendja është shqetësuese.
Wtinger: “Përveç diskutimeve përfundimtare të së enjtes, është e rëndësishme të kemi një plan B emergjence, sepse që nga 1 korriku, Greqia do të kalojë në gjendje emergjence në sektorë si energjia, rrogat e policisë, mjeksisë dhe shumë të tjera. Oferta jonë vazhdon të jetë që Greqia të qendrojë në Eurozonë, por ata duhet të lëvizin me reformat. Boshllëku nuk mbushet me taksat e europianëve”.
Hollande: “Ky mesazh është për Greqinë, sepse nuk ka më kohë për të pritur, por duhet të rikthehet në bisedime. Do t’ia them sërish këtë zotit Tsipras bashkë me kancelaren Merkel”.
Pas vetëm 45 minutash bisedime të dielën, palët nuk kanë rënë dakord për kërkesën e propozuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit pensionet duhet të ulen në masën 1% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke shtuar në buxhet rreth 2 miliardë euro.
Pala greke këmbënguli edhe një herë se nuk ka ndërmend të prekë pensionet, rrogat e administratës publike, por as të rrisë TVSH-në për produktet bazë, si energjia elektrike.
Por propozimi i palës greke nuk i bindi institucionet, pavarësisht se pala greke pretendon se ka pranuar të vendosë si objektiv arritjen e sufiçitit buxhetor prej 1% në vitin 2015 dhe 2% në vitin 2016, ndërsa takimi i Eurogrupit të enjten shihet si mundësia e fundit.
Bursa e Athinës u hap me minus 6.5 pikë të hënën, ndërsa aksionet e bankave greke ranë me 12% mesatarisht, ndërsa vendi i afrohet edhe më shumë falimentimit dhe një pjesë e mirë e popullsisë ka reaguar duke mos paguar as faturat, nga frika e një kolapsi financiar të shtetit.
Sigal