Greqia i paguan 2 mld euro FMN-së, Trojka së shpejti në Athinë

86
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka njoftuar se shteti grek më në fund ka paguar detyrimet e prapambetura me vlerë 2 miliardë euro, duke dalë kështu nga lista e debitorëve të institucionit kreditor ndërkombëtar.
Pagesa e borxheve që duheshin shlyer që më 30 qershor, u krye vetëm pak ditë pasi Bashkimi Europian miratoi kredinë afatshkurtër prej 7 miliardë eurosh, që do të mbante Greqinë në këmbë deri në nënshkrimin zyrtarë të programit të ri të shpëtimit.
Megjithatë, Komisioni Europian, bëri të ditur gjatë ditës se përfaqësuesit e trojkës – Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – që në marrëveshjen e fundit etiketohen si “institucionet”, do të mbërrijnë shpejt në Athinë, për të mbikqyrur mbarëvajtjen e punëve.
Parlamenti grek pritet të votojë brenda të mërkurës listën e dytë të zotimeve të marra nga kryeministri Tsipras javën e kaluar në Bruksel, por sipas mediave helene, as këtë herë nuk do të përfshihet në rend të ditës rritja e taksave ndaj fermerëve dhe rritja e moshës së pensionit. Sipas mediave, këto dy propozime nuk kanë marrë ende miratimin e Demokracisë së Re, partisë më të madhe opozitare që deri më tani ka mbështetur marrëveshjen e arritur mes Tsiprasit dhe kreditorëve.
Ndërkohë, sot bankat greke u hapën për herë të parë pas tri javësh, megjithëse mbetet ende në fuqi tërheqja maksimale ditore prej 60 eurosh për individët. Por edhe pse janë riaktivizuar disa shërbime bankare për bizneset, një sondazh i fundit tregon se për shkak të situatës, rreth 25% e bizneseve në vend po mendojnë të zhvendosin selitë qendrore jashtë Greqisë, ndërsa gati gjysma e tyre është detyruar të shtyjë detyrimet ndaj furnitorëve për shkak të mungesës së likuiditetit.