Sigal

ATHINË- Thellohet bilanci i viktimave nga zjarret në rajonin e Atikës në Greqi, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 82. Nga të dhënat e shërbimit të zjarrfikësve, mësohet se 187 persona janë plagosur. Ngjarja bëhet edhe më tragjike, pasi 24 prej viktimave janë fëmijë. Ndërkohë dyshohet për qindra persona të zhdukur.

Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nëse ka shqiptarë mes viktimave, ndërsa dy bashkëkombas rezultojnë të humbur.

Përgjatë ditës së hënë edhe gjatë natës, duke u zbardhur e marta, në tri zona të ndryshme të Athinës ‘shpërthyen’ 15 vatra zjarri, ku situata më dramatike ishte në fshatin bregdetar Mati. Përveç dhjetëra të vdekurve në vende të ndryshme të periferisë së Athinës për shkak të zjarreve masive, ekipet e shpëtimit u tmerruan kur gjetën 26 persona të djegur të gjallë në një restorant, kjo edhe për shkak të bombolave të gazit. Aktualisht në terren ndodhen forca të nderhyrjes, të cilët po vijojnë kërkimet në çdo ndërtesë.

AMBASADA SHQIPTARE: 3 SHQIPTARË TË PLAGOSUR, MES TYRE DY FËMIJË
Ndërkohë, Ambasada përmes një njoftimi në rrjetin social ‘Facebook’ bën me dije se deri tani janë tre shqiptarë në spital, anëtarë të së njëjtës familje. Bëhet fjalë për një grua shqiptare, që është shtruar në spitalin Evangelismos, si dhe dy fëmijë të mitur, (edhe ata shqiptare) 10 dhe 13 vjeç, që janë shtruar në spitalin pediatrik Agia Sofia, në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ambasada e RSh-së në Athinë njofton se pas verifikimeve të kryera në terren në të gjitha spitalet në zonën e Athinës, si dhe nga burimet zyrtare të Emergjencave Civile, rezulton se përveç rastit të qytetares shqiptare në spitalin Evangelismos për të cilën kemi njoftuar, janë dhe dy fëmijë nga e njëjta familje, të moshës 10 dhe 13 vjeç nga Fieri, të shtruar në spitalin pediatrik Agia Sofia, në gjendje të mirë shëndetësore. Ditët në vijim pritet një konfirmim zyrtar nga autoritetet greke për identifikimin e viktimave të kësaj tragjedie. Ambasada është në ndjekje të situatës duke komunikuar në vijëmësi me autoritetet kompetente”, thuhet në njoftim.