Greqi/ Tarifat për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit, me rastin e Vitit të Ri

570
Me rastin e festave të fundvitit, drejt Shqipërisë do të vijnë një numër i madh emigrantësh. Shpesh herë prej tyre nuk merren në konsideratë legalizimi i dokumenteve të udhëtimit duke pasur parasysh se janë në pritje të lejeve të reja të qëndrimit. Sipas vendimit të përbashkët të Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Financës të Shqipërisë, ndryshojnë të gjitha tarifat konsullore, me ulje deri në 30%. Vendimi tashmë ka hyrë në fuqi. Konkretisht, me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare, shtetasit shqiptarë jashtë vendit për çdo shërbim në konsullatat e Shqipërisë në Greqi do të kenë këto kosto: (tarifat e dokumenteve pranë institucioneve do të jenë si më poshtë)
-Lejekalimi 200 lekë
-Lejekalimi i lëshuar nga përfaqësitë 30 euro
-Lejekalimi për të vdekurit, i lëshuar nga përfaqësitë 0 euro
Tarifat për lëshimin, verifikimin dhe legalizimin e dokumenteve
-Certifikatë të çdo lloji, lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit shqiptarë 20 euro
– Certifikatë të çdo lloji, lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit e huaj reciprocitet
-Vërtetim të çdo lloji, lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit shqiptarë 30 euro
– Vërtetim të çdo lloji lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit e huaj reciprocitet
-Verifikimi i dokumentit nga përfaqësitë 10 euro
-Legalizimi i dokumentit për shtetasit shqiptarë nga Ministria e Punëve të Jashtme, 200 lekë
-Legalizimi i dokumentit nga përfaqësitë për shtetasit shqiptarë 15 euro
-Legalizimi i dokumentit nga përfaqësitë për shtetasit shqiptarë të vdekur, 0 euro
-Legalizimi i dokumentit për shtetasit e huaj reciprocitet
Tarifat për lëshimin dhe përpilimin e akteve të tjera noteriale dhe përkthimin e dokumenteve nga përfaqësitë
-Përpilimi i deklaratave, autorizimeve, testamenteve, kontratave, garancive dhe prokurave të posaçme nga përfaqësitë 20 euro/faqe
-Vërtetimi i dublikatave dhe kopjeve 10 euro/faqe
-Përkthimi i dokumenteve 10 euro/faqe
Tarifa për vërtetimin e rregullshmërisë së përkthimit të certifikatave
-Vërtetim i rregullshmërisë së përkthimit të certifikatave 10 euro
G.A
*********
ITALI/ Rritet nga 30 në 180 ditë afati i fundit për ata që do bëhen italianë
Shtetësia, tashmë duhen 6 muaj për të organizuar betimin
Në Padova një vendim i kryetarit të komunës, Bitonci, çon nga 30 në 180 ditë afatin e hapit të fundit për ata që po bëhen italianë. Duke u vënë në rrezik vlefshmërinë e dekretit
– Kësaj i thonë të të vënë këmbëmes apo të të tërheqin prej fanelle, kur je vetëm një metër nga pikëmbërritja. Komuna e Padovës, në epokën e Bitonci-t, po jep maksimumin e saj për t’ua shtyrë të huajve çastin e kthimit në qytetarë italianë. Kanë pritur 13, 14 apo 15 vjet, për të marrë shtetësinë? Le të presin edhe gjashtë muaj për të bërë betimin, duke rrezikuar që t’u duhet ta nisin prapë gjithçka nga fillimi. Është shkruar në vendimin e miratuar në 15 shtator nga këshilli komunal i kryetarit legist, që ngre afatin administrativ për “transkriptimin e akteve të nxjerra jashtë Italisë” dhe për “marrjen e shtetësisë italiane” duke e çuar në 180 ditë. Më parë afati ishte vetëm 30 ditë. Me pak fjalë komuna thotë të presësh deri gjashtë muaj për të bërë betimin, hapi i fundit dhe i domosdoshëm para se i huaji të bëhet italian. Ose që komuna të transkriptojë për shembull certifikatat e lindjes së bijve për të thënë që janë vërtet bijtë e tu që për rrjedhojë marrin automatikisht shtetësinë edhe ata. Gjashtë muaj që u shtohen dhjetë vjetëve të jetuar në Itali para se të mund të paraqitet kërkesa e dy, tre, katër e ndonjëherë edhe më shumë vjetëve të tjerë që ministria e Brendshme ka marrë për të kontrolluar nëse ishe rezident i rregullt, që nuk je person i rrezikshëm e që ke të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur veten e familjen. Por veç kësaj, ata gjashtë muaj që merr komuna përbëjnë një rrezik të madh. Në fakt ligji parashikon që nga lajmërimi zyrtar i dekretit të shtetësisë, i huaji ka maksimumi 180 ditë kohë për të bërë betimin. Përndryshe dekreti nuk vlen më e duhet paraqitur kërkesa e shtetësisë nga e para. Afati i vënë nga Komuna përputhet me atë që i huaji nuk mund t’i lejojë vetes kurrsesi ta shkelë.
“Nuk kuptohet për çfarë i nevojiten ato 180 ditë Komunës. Të gjitha kontrollet i kanë bërë Policia dhe Prefektura. Ç’dreqin tjetër duhet të kontrollojë Komuna?” pyet Pap Fall, kryetar i Anolf Cisl i Padovës e Rovigos.
“Në vendim – vazhdon sindikalisti për Stranieriinitalia.it – flitet për “kompleksitetin e procedurës” që nuk është aspak e ndërlikuar. Është e vërtetë, janë shtuar dekretet e dhënieve të shtetësisë, por nëse problemi është ky, i takon Komunës të organizohet më mirë e të mos penalizojë edhe më, ata që kanë pritur gjatë, shumë gjatë”.
Fall e quan situatën “katastrofike, absolutisht për t’u rishikuar”. “Kryetari Bitonci – nënvizon – flet shpesh për imigracion “të mirë” që duhet ruajtur dhe imigracion “të keq” që duhet izoluar. Këta që po vë këmbëmes janë të gjithë persona që kanë bërë një rrugë të gjatë integrimi, përmbushin të gjitha kriteret për t’u bërë italianë”.
Atëherë pse të lihen akoma në sallën e pritjes, pikërisht tani kur duhet vetëm të betohen, se “do t’i jenë besnikë Republikës italiane dhe do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Shtetit”?

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf në datë 14.12.2015
Sigal