Greqi/ Qeveria shapall listën e plotë të masave, për lehtësimin e të dëmtuarve prej zjarreve

496
Sigal

Qeveria Greke, në kuadrin e planit paralel  të gjëndjes së jashtëzakonshme për përballimin e pasojave të zjarreve  në Atikën Lindore dhe Perëndimore, vendosi që të ndërmarrë një paketë të plotë masash që kanë si qëllim lehtësimin imediat të të prekurve  dhe  rehabilitimin e menjëhershëm  të dëmeve materiale.

Këto masa nuk zëvendësojnë, përkundrazi, u shtohen  atyre  që parashikon ndërkohë legjislacioni në fuqi. Më konkretisht, masat shtesë janë si më poshtë:

 A. Masa për ndihmë dhe mbështetje të menjëhershme për të dëmtuarit:

1.      Subvencionim i menjëhershëm  dhe i jashtëzakonshëm i të dëmtuarve , pasi të përfundojë rregjistrimi i dëmeve materiale  prej ekipeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transporteve.

Subvencioni që do të përfitojnë  familjet apo personat fizikë që u dëmtuan, do të jetë 5000 euro. Për familjet me tre dhe më shumë fëmijë , kjo shumë do të jetë 6000 euro.

Për bizneset  që pësuan dëme, shuma arrin 8000 euro.

2.      Gjithashtu do të akordohet asistencë papunësie plus  një shume të menjëhershme  prej 45 shpërblimesh ditore (650 euro) papunësie  për të gjithë ata që do të mbeten pa punë , pas shkatërrimit të biznesit ku punonin , për shkak të zjarreve.

3.      Akordim i menjëhershëm  i një ndihme  të jashtëzakonshme,  të barabartë  me shumën e dy (2)  pensioneve mujore, për  pensionistët  e  Entit Unik të Sigurimeve Shoqërore EFKA, që u dëmtuan prej zjarreve.

4.      Përshpejtim, pavarësisht  rendit kronologjik, i kërkesave për pension që janë depozituar  ose do të depozitohen  deri më dt. 31.09.2018, vend-banimi  ose vendi i sigurimit të të cilëve, ndodhet brënda zonave të prekura prej zjarreve.

5.      Masa për lehtësim të menjëhershëm tatimor:

Për   taksapaguesit  që varen nga Zyrat Tatimore të Palinit dhe të Elefsinës

Zgjatje të afatit të depozitimit të deklarateve mbi të ardhurat për personat fizikë, për vitin tatimor 2017,  deri më 30 tetor  2018.

Pagesë e taksave mbi të ardhurat nga personat fizikë për vitin tatimor 2017, në tre këste mujore.

Zgjatje të afatit të depozitimit të deklaratës mbi të ardhurat nga ana e personave juridikë, për vitin tatimor 2017. Pagesa e taksave mbi të ardhurat nga ana e personave juridikë, për vitin tatimor 2017, në tre këste mujore.

Për më tepër, për taksapaguesit  që  varen nga  dy Zyrat e mësipërme, ndërmirren  vendime për:

Zgjatje të afatit të depozitimit të deklaratës mbi TVSH, afati i të cilave mbaronte më 31 Korrik 2018, deri më 30 Tetor 2018, me zgjatje respektive të afatit për pagesën e taksave.

Përjashtim nga pagesa e ENFIA – Taksës Unike për Pronat e Patundshme-  për ato prona të patundshme që gjënden në zonat e prekura dhe janë shkatërruar plotësisht ose kanë pësuar dëme funksionale, që i bëjnë të pabanueshme.

6.      Masa  të menjëhershme lehtësimi përsa i përket siguracioneve për bizneset dhe për të siguruarit  që ushtrojnë aktivitetin e tyre profesional në zonat e prekura nga zjarret.

Shtyhet depozitimi i Deklaratave Analitike Periodike  dhe pagesa e kontributeve korrente  me gjashtë muaj, duke filluar  nga dt 1 e muajit kur ndodhi katastrofa, dhe pa logaritur për këtë periudhë, tarifa të tjera shtesë.

Të siguruarve të EFKA-s si dhe anëtarëve të familjes që varen prej tyre, u njihet statusi i të siguruarit deri më 31.12.2018 pa asnjë parakusht, ndërsa pagesa e asistencës dhe subvencioneve të parashikuara bëhet menjëherë, pa ndjekur rendin kronologjik.

7.      Masa për të mbështetur  huamarrësit e Entit të Banesave Sociale

Shtyhet për një periudhë prej 36 muajsh dhe pa asnjë lloj barre, detyrimi për pagesën e kësteve nga ana e huamarrësve  të Entit të Banesave Sociale.

8.      Shtyhen  nga data e sotme  deri më 30.09.2019, zhvillimi i ankandeve për të prekurit nga zjarret.

9.      Subvencion vjetor në shumën prej 1200 eurosh  për çdo familje të prekur, për përballimin e çdo lloj nevoje për telekomunikim, pavarësisht subjektit furnitor.

10.  Mbështetje  të jashtëzakonshme  ekonomike për Bashkitë e Marathonës, Rafinës- Pikermit, në shumën prej 2.000.000 euro, e cila mund të destinohet  për përballimin e nevojave të jashtëzakonshme, si punësim personeli shtesë, blerje ushqimesh, ilaçesh dhe medikamentesh por edhe për rehabilitimin e shpejtë të dëmeve në infrastrukturën bazë.

11.  Mos pagesë tarifash rrugore në zonat e prekura  deri në përballimin e krizës.

12.  ‘Çrregjistrim  i targave të automjeteve  që u dogjën, në mënyrë që pronarët të mos paguajnë taksë qarkullimi apo dhe gjoba administrative.

13.  Ndërmarrja Elektrike Publike DEH, vendosi që të  falë detyrimet për energjinë elektrike të klientëve të saj, e cila ishte konsumuar nga dt 01.01.2018  dhe deri sot, për  banesa dhe dyqane  që u shkatërruan si dhe për banesat e familjeve të viktimave, ndërkohë që do të ndërmarrë  nisma rregulluese për detyrime të mëparshme, për të njëjtat kategori konsumatorësh.

14.  Vetkuptohet se EOPYY – Enti Kombëtar i Akordimit të Shërbimeve Shëndetësore – do të zëvëndësojë  falas aparatet mjekësore  dhe mjetet e tjera ndihmëse teknike , të cilat u shkatërruan nga zjarri, dhe që u shërbenin personave të paaftë ose me  sëmundje kronike.

15.  Fëmijët e familjeve të prekura të cilët studiojnë ose do të pranohen sivjet në  Institucionet Arësimore Universitare, përfitojnë automatikisht të drejtën e transferimit  në Institucionin më të afërt me banesën e tyre. Kjo masë, pas vendimit të Ministrit të Arësimit, mund  të zgjatet edhe për vitet pasardhëse.

16.  Gjithashtu, notat e nxënësve, të familjeve  që janë prekur nga zjarret,  dhe që ishin pjesëmarrës në provimet panhelenike të pranimit gjatë sezonit 2017-2018, shtohet  me 20%   dhe pranohen në universitetet respektive si studentë mbi normë.

17.  Masa të posaçme dhe të jashtëzakonshme , sipas kompetencave të veta, ka ndërmarrë edhe  Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, nëpërmjet Ministrit përkatës.

 B. Masa dëmshpërblimi dhe mbështetjeje të familjeve të viktimave

1.      Mbështetje ekonomike për bashkëshortin/en, ose nëse nuk ekziston, për personin më të afërt të viktimës së zjarrit, në shumën prej 10.000 euro

2.      Akordim i një subvencioni mujor për fëmijët minorenë  të të vdekurve prej zjarreve, në masën 1000 euro për fëmijë deri sa të arrijnë moshën madhore, ose nëse ata janë me studime  në institucione arsimore të vendit, deri sa të mbushin moshën 24 vjeç.

3.      Këta  fëmijë, nëse rregjistrohen sivjet ose nëse janë duke studiuar në Institucione të Larta Arsimore të vendit, mund të tranferohen në Institucionin  më të afërt me banesën e familjes. Kjo masë mund të vlejë edhe për vitet pasardhëse, pas vendimit respaktiv të Ministrit të Arsimit.

4.      Një prej  të afërmëve të nivelit të parë apo të dytë, ose bashkëshorti/tja e viktimave të zjarrit, fiton të drejtën e emërimit në ente të qeverisjes qëndrore. Të drejtën e emërimit e fitojnë gjithashtu edhe persona  që mbetën  të paaftë prej zjarreve,  në masën 67% e lart.

Gjithashtu,. Parlamenti Grek vendosi njëzëri  në mbledhjen e kryetarëve, akordimin e menjëhershëm  të një ndihme të posaçme ekonomike  për çdo fëmijë  që u dëmtua prej zjarreve. Shuma e ndihmës do të përcaktohet kur të përfundojë procedura e rregjistrimit të dëmeve.

C.Paketa e tretë e masave  ka të bëjë me rehabilitimin e dëmeve materiale   që pësuan privatët por edhe  Infrastruktura Publike

1.      Duke u bazuar tek nismat ndërkombëtare  dhe vendore të solidaritetit dhe të përkrahjes, për Greqinë  por edhe për të prekurit nga zjarret në Atikën Lindore dhe Perëndimore, Qeveria Greke vendosi hapjen e një Llogarie të Posaçme  në Bankën e Greqisë, me qëllim financimin e çdo aktiviteti  ndihme  ndaj të prekurve nga zjarret në Atikën Lindore dhe Perëndimore, dhe kryesisht  për rindërtimin dhe dëmshpërblimin e banesave që u shkatërruan  si dhe rehabilitimin e zonave të prekura dhe të infrastrukturës së tyre.

Organi që do të menaxhojë këtë Llogari është një komision prej tre anëtarësh, të përbërë nga Kryetari i Parlamentit, Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit  dhe Ministri i Financave. Menaxhimin e kësaj Llogarie, e kontrollojnë në bazë vjetore, financierë nën betim  që emërohen prej Ministrit të Financave. Raporti i tyre depozitohet tek Kontrolli i Shtetit  i cili edhe kontrollon menaxhimin sipas ligjit të kësaj Llogarie të Posaçme.

Sektori Publik Grek  merr pjesë në këtë llogari me shumën prej 20 milion eurosh të Entit të Punësimit të Forcës Punëtore, 10 milion euro akordohen prej Ministrisë së Financave, ndërsa Parlamenti Grek vendosi  që të marrë pjesë me  10 milion euro të tjera. Në këtë Llogari, do të kenë mundësi të bëjnë depozitime shumash edhe shtete  të tjera, biznese por edhe qytetarë, nga Greqia  dhe shtete të tjera.

Objektivi ynë është rehabilitimi i zonave të prekura dhe i infrastrukturës publike  si dhe dëmshpërblimi  dhe rindërtimi sa më i shpejtë i banesave. Për këtë arësye, do të shfrytëzohen  të gjitha dispozitat e veçante  që parashikojnë  procedurat fast track  të licensimit  të të gjitha veprave, ndërsa aty ku do të lindë nevoja, do të bëhen edhe ndërhyrje ligjore shtesë.

Numri i Llogarisë është 23/2341195169 me  IBAN GR4601000230000002341195169.

 Pjesëmarrja e sektorit publik grek është për fazën fillestare, Shteti Grek angazhohet   se shpenzimet shtesë  që do të duhen për  rehabilitimin e plotë  të zonave të prekura nga zjarret, do të përballohen prej Programmit të Investimeve Publike, me po ato procedura të posacme.

2.      Me dispozita të veçanta,  për herë të parë do të  subvencionohen   edhe  ambientet  përreth   ndërtesave   dhe që kanë pësuar dëme.

3.      Me një rregullim të veçantë, Ministria e Infrastrukturës  do të marrë gjithashtu përsipër, hartimin falas të studimeve  për rehabilitimin e ndërtesave të dëmtuara.

 

Së fundi, është e vetkuptueshme  se rehabilitimi i zonave që janë prekur prej zjarreve, do të bëhet në bazë të një planifikimi urban kundër përmbytjeve dhe zjarrit, përgjegjësinë e të cilit do ta kenë Autoritetet dhe Ministritë kompetente.