Sigal

ATHINË- Mes zemërimit dhe pakënaqësisë së qytetarëve grekë, të cilët pretendojnë se qeveria dështoi që t’u përgjigjej në momentin më të vështirë siç ishte zjarri i 23 korrikut, shteti helen distancohet nga përgjegjësitë.

Në një konferencë për mediat ministri grek i Mbrojtjes Qytetare Nikos Toskas pohoi se pas ngjarjes fshihen ‘akte të qëllimshme kriminale për zjarrëvënien’. Po ashtu ai deklaroi se i kishte paraqitur dorëheqjen e tij kryeministrit Alexis Tsipras, ndërsa ky i fundit nuk e kishte pranuar, shkruan ‘Protothema’.

Në prani të zëdhënësit të qeverisë, Dimitris Tzanakopulos, bashkë me krerët e Policisë dhe Zjarrfikëses, ministri Toskas tha se ka indicie që zjarri ka qenë i qëllimshëm.

Përveç pistës për “zjarrvënie”, qeveria gjithashtu përmendi dhe “kushtet ekstreme të motit”, si faktorë ndikues në përhapjen e zjarrit. Kujtojmë se nga zjarret apokaliptike që shpërthyen papritur në 15 vatra në të njëjtën kohë në rajonin e Atikës, humbën jetën 84 persona, ndërsa bilanci i viktimave pritet të rritet edhe për shkak të numrit të madh të të zhdukurve.