Greqi, nënshtetësia greke për emigrantët, nis puna në disa Drejtori të Decentralizuara

424
Nga dita e sotme në disa Drejtori të Decentralizuara të Greqisë kanë filluar aplikimet për fitimin e nënshtetësisë greke për brezin e dytë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi. Presidenti i Federatave Shoqatave Shqiptare në Greqi, Etmond Guri, thotë se aplikimet kanë nisur në Drejtorinë e Decentralizuar në Attikë dhe Lamia dhe shumë shpejt pritet të shtrihet edhe në Drejtoritë e tjera analoge. “Nga sot në disa Drejtori të Decentralizuara të Greqisë kanë filluar aplikimet për fitimin e nënshtetësisë greke sipas ligjit të ri 4332/2015 dhe qarkores nr. 29 dt. 25/08/2015. Më konkretisht Drejtoria e Decentralizuar në Attikë, seksioni i nënshtetësisë, që ndodhet në adresën Hypatias 6 (Υπατίας 6) dhe në Drejtorinë e Decentralizuar në Lamia, seksioni i nënshtetësisë, kanë filluar aplikimet për nënshtetësinë e fëmijëve të brezit të dytë.

Sipas kontakteve që Federata pati me zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Decentralizuar rezulton se ende jemi në fazën paraprake deri në sinkronizimin e të gjithë sistemit online, ku shumë shpejt pritet zbatimi i ligjit të ri në masë të gjerë, pra nga të gjithë drejtoritë analoge. Kujdes, aplikimet do bëhen në seksionet përkatëse të nënshtetësisë në çdo Drejtori të Decentralizuar! Më shumë informacion të detajuar do të jetë i disponueshëm në ditët në vazhdim” shkruan ai në fb. Janë gjithsej rreth 150 mijë shqiptarë që do të përfitojnë nënshtetësinë greke, nga të cilët 60-70 mijë prej tyre do të përfitojnë që në fazën e parë të këtij procesi.
Sigal