Greqi me vendim të rëndësishëm për emigrantët

542
Departamenti i Politikave të Migracionit në Greqi ka kompletuar detyrimin e këtij vendi, i njëjtë për të gjitha vendet anëtare të BE-së, për dhënien e lejeve të qëndrimit me të cilat pajisen shtetasit e vendeve të treta që banojnë ligjërisht në vend, tashmë në formë elektronike.
Leja e re, e ngjashme me një kartë krediti, është hartuar si një dokument i sigurt dhe me cilësi të lartë, që siguron të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar falsifikimin ose mashtrimin e mundshëm.
Ajo përfshin: (a) të dhënat e identitetit të personit; (b) informacioni që përcakton statusin e qëndrimit, dmth. lloji i lejes dhe aksesi në tregun e punës; dhe (c) të dhënat biometrike për identifikimin e poseduesit, fotografia, dy shenja të gishtave dhe firma.
Duke promovuar lejen e re elektronike, ministri i Politikave të Emigracionit, Giannis Mouzalas e quajti atë “një përpjekje të madhe për të përmirësuar jetën e atyre që prej shumë vitesh jetojnë në Greqi”.
Lejeqëndrimi i ri elektronik u është dhënë prej shkurtit të këtij viti, duke zëvendësuar lejet e vjetra, 56 mijë shtetasve të vendeve të treta. 43 mijë të tjera janë në fazën e miratimit, ndërsa pritet që me të të pajisen mbi 600 mijë emigrantë të huaj, shumica e të cilëve shqiptarë; dhe mbi 150 mijë të cilët ende janë të paligjshëm, megjithëse jetojnë prej vitesh në Greqi.
Me lejen e re thjeshtohen dhjetëra procedura dhe procese burokratike në kurriz të emigrantëve, si rinovimi dhe koha e dhënies, pasi ministria ka ngritur një sistem online me 57 shërbime publike në gjithë vendin.
Kostoja e lejes, që mund të jetë nga një deri në 10 vjet, është vetëm 16 euro dhe pagesa e saj kryhet nëpërmjet një shërbimi online të lidhur me bankat, ndërsa marrja e saj nga poseduesi bëhet në zyrat “one stop” të shërbimeve të Drejtorive të Emigracionit në periferitë e vendit.
Sigal