Greqi, kriza ekonomike: Pensionistët në radhë për të marrë pensionet

459
Pensionistët grekë u vunë në radhë të premten paradite për të marrë pensionet e muajit, ndërkohë që presioni rritet gjithnjë e më tepër për qeverinë për të arritur një marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë për të shmangur falimentimin.

Një ndër pikat ku kanë ngecur bisedimet është pikërisht kërkesa e huadhënësve që vendi të ulë pensionet, një kusht ky që qeveria ka refuzuar të bëjë dhe këmbëngul se nuk do të ndryshojë qendrim, pavarësisht se në në vend ishte rritur shqetësimi se as pensionistët dhe as punonjësit e administratës publike nuk do të mund të merrnin pagesat e radhës.

Para zyrës së pensioneve, të moshuarit e shprehin hapur shqetësimin e tyre.
“Jemi të shqetësuar, sepse nuk e dimë nëse do ta marrim pensionin apo jo”
“Kreditorët duan të na fusin frikën. Për sa kohë qeveria nuk frikësohet do të jemi në rregull. Por nëse edhe këta frikësohen si qeveria e mëparshme, atëherë e humbëm lojën”

Qeveria e Syriza-s ka thënë se do të arrijë një marrëveshje brenda të dielës, por pas shefes së FMN-së, Kristin Lagard, edhe ministri gjerman i Financave, Volfgang Shojble, ka sqaruar nga Dresdeni, ku po mbahet konferenca e G7-ës, se ky optimizëm nuk pasqyrohet në bisedime. Dhe pavarësisht shtysës nga Shtetet e Bashkuara se marrëveshja duhet arritur me patjetër dhe premtimit të ministrit të jashtëm francez, Mishel Sapë, se nuk ka një skenar pa Greqinë në eurozonë, në rrugët e Athinës, mbizotëron frika.

“Negociatat duhet të kishin shkruar shumë më mirë, por fatkeqësisht këta që duhet të jenë partnerët tanë, nuk mendojnë fare për problemet e popullit grek”
“Të gjithë janë të shqetësuar, ekonomia ka ndalur dhe gjithçka ka ngecur. Por besoj se do të arrijmë një marrëveshje me kushte tëmira”

Qeveria ka konfirmuar se pensionet e majit do të paguhen, por nëse në qershor do të duhet të zgjedhë mes pagave dhe pensioneve ose pagesës së këstit ndaj FMN-së, atëherë do të zgjedhë të parat. Kryeministri Aleksis Tsipras ka biseduar për një orë në telefon me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez, Fransua Holond, por kjo bisedë nuk ka ndikuar në përmirësimin e klimës, çka është pasqyruar edhe në Bursën e Athinës, në pritje të një akordi përfundimtar.
Sigal