Greqi, fëmijët jetimë treten spitaleve

140

Një skenë në Spitalin e Athinës për fëmijët, Agia Sofia: një aktiviste e një organizate jo qeveritare bën pak shëtitje me një djalë përdore. Djali afër 5 vjeç të krijon përshtypjen se ka një kufizim fizik. Aktivistja e re përpiqet ta bëjë të qeshë djalin tek një kabinë telefonike – tentativa e saj funksinon. Një buzëqeshje e lehtë kalon nëpër fytyrën e tij, kur ai mban telefonin në dorë dhe dëgjon sinjalin.

Nga Deutsche Welle

Ky djalë është një nga 30 fëmijët që qëndrojnë në spitalin e Athinës, pa qenë të sëmurë. Ata jetojnë si pacientë, por nuk kanë nevojë për trajtim mjekësor. Disa janë braktisur nga prindërit, disa jetojnë në dhoma spitali, sepse autoritetet kanë urdhëruar shkëputjen e tyre nga familja. Fëmijët janë keqtrajtuar ose kanë vuajtur dhunime seksuale.

Zgjidhja e vetme për prokurorinë

Prokurorët në Greqi gjithmonë i kanë përdorur spitalet për të strehuar fëmijët në raste të tilla, të paktën që prej 25 vjetësh, thotë Sofia Konstantelia, drejtuesja e qendrës sociale të prefekturës Atika. E megjithëse personeli i klinikës dhe aktivistët e organizatave humanitare tregojnë kujdes, ekspertët janë të mendimit: Një spital nuk është vendi i duhur për të mbajtur fëmijët një kohë të gjatë.

Këtë situatë po e trajton tani Xeni Dimitriou prokurorja e përgjithshme e Gjykatës së Lartë në Athinë. “Në kohën time si prokurore kjo ishte zgjidhja e vetme, ku mund ta strehoje një  fëmijë, se fillimisht fëmijët dërgoheshin aty për kontroll. Pastaj ata qëndrojnë një kohë të gjatë aty, kjo bëhet edhe sot, edhe pse në masë më të vogël, se dikur.”

“Mungojnë sisteme të tjera të përshtatshme për mbrojtjen e fëmijëve”

Më shumë se 200 vajza e djem janë pranuar më parë çdo vit në spitalet greke. Dhe aty ata vetëm strehoheshin. Me fillimin e krizës greke numri i tyre  u rrit më shumë, thotë Xenia Apostola nga spitali Agia Sofia. Sipas të dhënave të sindikatave sot në spitalet publike në Athinë ndodhen më shumë se 70 fëmijë të braktisur apo të strehuar për shkak të ndarjes nga familja. Disa duhet të kalojnë më shumë se 6 muaj aty, derisa të gjendet një vend për ta në jetimore. Sipas një rasti të njohur për Deutsche Wellen, një fëmijë i lindur me kufizime fizike duhet të qëndronte tre vjet në Agia Sofia, pa dalë kurrë nga spitali. Në një rast tjetër një fëmijë qëndroi 7 vjet, para se të strehohej në një qendër për fëmijët me kufizime fizike.

Giorgos Nikolaidis është psikiatër dhe kryetari i Komitetit Lanzarot të Këshillit të Europës. Ky institucion ka detyrën të mbrojë fëmijët në hapësirën europiane nga keqpërdorimi seksual apo keqtrajtimi. Nikolaidis thotë se kjo mënyrë e strehimit të fëmijëve është “shenjë, se mungojnë sisteme të tjera të përshtatshme për mbrojtjen e fëmijëve, si kujdesi për raste emergjence.”

Ka muaj që spitalet tërheqin vëmendjen për këtë problematikë. Si reagim – erdhën disa zgjidhje afatshkurtra. Kështu për shembull qendra humanitare Atika pranoi 7 fëmijë nën 4 vjeç. Ministria e Shëndetësisë në Athinë pranoi se duhen ngritur strehimore të reja, ku të strehohen të gjithë fëmijët e spitaleve. Flitet se në korrik ato do të fillojnë nga puna.

Ekspertët janë kritikë. Ata kujtojnë, se Greqia është një nga shtetet e fundit të Europës ku mbrojtja e fëmijëve kryhet gati vetëm nga jetimoret që nuk janë as nën kontrollin e shtetit, as të kishës ortodokse greke dhe atë të organizaatave humanitare. “Ka ndërkohë shumë institucione”, thotë Sofia Konstatelia nga qendra sociale e Atikës. Ajo beson, se zgjidhja e problemit nuk bëhet në jetimore, por në forma të tjera të strehimit.

Problematikës i shtohet edhe fakti, që Greqia nuk ka një sistem të njësuar të mbrojtjes së fëmijëve. Në vend të kësaj kujdesen për ta qindra shërbime gjithëfarllojshme me përgjegjësi të paqarta. Komunikimi mes qendrave është i vështirë.

Tani duket se diçka është vënë në lëvizje. Planifikohet një regjistër qendror ku të jenë të regjistruar të gjithë institucionet, publike dhe private, thotë Konstantelia për DW.

Një hap tjetër është edhe ligji i ri i kujdestarisë. Zëvendësministri për çështjet sociale, Theano Fotioi kujton, se deri tani janë pranuar kërkesat e 130 prindërve kujdestarë. 600 të tjera për adoptim afatgjatë. Prokurorja Dimitriou e quan gjetjen e prindërve kujdestarë si “zgjidhje ideale”. “Natyrisht edhe prindërit kujdestarë bëjnë gabime, si gjithë të tjerët, por megjithatë ajo është një familje, një trajtim i veçantë për fëmijën.” Frika e saj është, se shoqëria greke nuk është “e hapur sa duhet” për këtë form të familjes. Mungon një strategji e komunikimit apo fushatë që ndihmon sensibilizimin e opinionit  për një sistem të ri kujdestarie.