Greqi, ekzekutohet me armë zjarri 32-vjeçari shqiptar

473
Sigal

Një shtetas shqiptar 32 vjeç është ekzekutuar prej policisë gjatë një shkëmbim zjarri të ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit, në rrugën “Edhiniu 104” në lagjen “Qeracini” të kryeqytetit helen.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 5 të mëngjesit të së dielës, kur policia u telefonua për një vjedhje banese në zonë.

Sapo mbërritën policët e ndërhyrjes së shpejtë, 4 grabitësit  e dyshuar filluan të qëllojnë kundër policisë,e cila iu përgjigj me breshëri zjarrit.

Banda e hajdutëve mundi të futet në një magazinë, prej nga ku vazhdoi të qëllojë kundër oficerëve.

Të gjendur nën rrethimin e policisë, grabitësit u detyruan t’i dorëzohen forcave speciale të ushtrisë “EKAM”, të cilët janë trajnuar enkas për situata të tilla.

Në zonën e ngjarjes, policia thotë se njeri prej grabitësve u gjet i plagosur prej plumbave të saj. Ai u dërgua në spital, por nuk mundi t’iu shpëtojë plagëve të marra.

Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për një 32-vjeçar shqiptar, për të cilin deri tani nuk rezulton se ka qenë i implikuar në ndonjë ngjarje ose vepër penale.

Tre anëtarët e tjerë të bandës, identitetet dhe kombësia e të cilëve ende nuk dihet, u dërguan në Drejtorinë e Policisë së Atikës, ku dhe po merren në pyetje.

Autoritetet thonë se po hetojnë lidhur me ngjarjen. Në zonë ka mbërritur mjeku ligjor dhe prokurori për të kryer hetimet e mëtejshme.

Prej burimeve të sigurta të Top Channel mësohet se, prokurori ka urdhëruar sekuestrimin e armëve të shërbimit të të gjithë policëve që morën pjesë në aksion, për të kryer verifikimet dhe gjetjen e armës nga e cila është bërë qitja, që shkaktoi vdekjen e 32-vjeçarit.