Sigal

Identifikohet 15-vjeçari shqiptar që humbi jetën në aksidentin tragjik ditën e sotme në qytetin Kyparissia në Greqi.

Ai është Enriko Buzani, me origjinë nga Shqipëria, por jetonte prej vitesh në shtetin grek së bashku me familjen e tij.

15-vjeçari është një nga tre viktimat që humbën jetën tragjikisht në aksidentin e rëndë. Në makinë me të ndodheshin edhe dy shokët e tij, Niko Trialona 15 vjeç me origjinë greke dhe Kristo Mertai me origjinë bullgare.

Tre adoleshentët ishin lojtarë të klubit të futbollit ‘Kyparissia’, dhe konsideroheshin talente.

Sipas mediave greke, 15-vjeçari Buzani kishte marrë fshehurazi makinën e babait të tij, së bashku me dy shokët. Tre adoleshentët kishin dalë xhiro me makinë nëpër rrugët e qytetit, kur në rrethana të paqarta automjeti i tyre u përplas me një kamion që drejtohej nga një bullgar, i cili pësoi lëndime të lehta.

Dy shokët e shqiptarit humbën jetën menjëherë, ndërsa 15-vjeçari Buzani u dërgua në spital në gjendje kritike ku ndërroi jetë. Për shkak të përplasjes së fortë, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë nga makina trupat e pajetë të adoleshentëve.

Për ndarjen nga jeta të 15-vjeçarëve, ka reaguar në rrjetet sociale edhe klubi i futbollit ‘Kyparissia’, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave.

‘Klubi i Futbollit Kyparissia mësoi me hidhërim ndarjen nga jeta të tre futbollistëve të rinj, Kristo Mirtai, Niko Trialona dhe Enriko Buzani që u larguan në mënyrë kaq të papritur dhe të padrejtë. Ne shprehim ngushëllimet më të thella për familjarët e tre engjëjve dhe ndajmë dhimbjen me ta’, thuhet në komunikatën e klubit të futbollit.

Tre adoleshentët jetojnë prej vitesh në Greqi dhe familjet e tyre gëzojnë respektin e komunitetit ku banojnë. Ndërkohë, policia greke është duke hetuar për të zbardhur tërësisht shkaqet e këtij aksidentit të rëndë. /tvklan