Grekët të shqetësuar nga borxhi

486
Pensionistët grekë krijuan sot radhë të gjata për të marrë pensionet mujore ndërkohë që po rritet trysnia mbi qeverinë për të arritur marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë dhe për të shmangur falimentimin. Një nga çështjet të cilat kanë bërë që negociatat të ngecin është kërkesa e huadhënësve për të pakësuar pensionet, të cilën qeveria greke e ka refuzuar. Ka gjithashtu shqetësime se qeveria mund të mos i paguajë dot më pensionet dhe pagat për shkak se paratë po shterojnë. Në mungesë të ndihmës financiare nga huadhënësit, e cila mund të vijë vetëm kur të arrihet marrëveshja, qeveria po përdor fondet shtetërore për të paguar borxhet, por ekziston frika se ato mund të mbarojnë.
“Ne jemi të shqetësuar. Nuk jemi të sigurt nëse do t’i marrim pensionet këtë muaj”, thotë pensionisti Thanasis, i cili pret në radhë.
“Huadhënësit duan të na trembin. Për sa kohë që qeveria nuk frikësohet, ne do të jemi mirë, por në qoftë se ata fillojnë të frikësohen ashtu si qeveria e mëparshme, do të humbasim”, thotë Zois Dimitriou, një tjetër pensionist. Qeveria tha dje se synon të arrijë marrëveshje me kreditorët deri të dielën, por komentet nga zyrtarët e eurozonës lënë të kuptohet se kjo nuk është e sigurt. Greqia dhe huadhënësit e saj evropianë dhe FMN-ja, katër muajt e fundit janë përfshirë në bisedimet mbi një marrëveshje për reformat por ende nuk është arritur përparim.
“Të gjithë janë të shqetësuar, ekonomia nuk ka lëvizur, çdo gjë është në pritje, por unë shoh gjëra pozitive dhe besoj se do të ketë një marrëveshje me kushte të mira”, thotë Fay Giakoumidou, e cila punon në një agjenci turistike. Qeveria e majtë greke tha të mërkurën se ka filluar të hartojë një marrëveshje me partnerët e saj të eurozonës dhe FMN-së që do t’i hapte rrugën ndihmës financiare. Por, zyrtarët e eurozonës dhe të FMN-së e hodhën poshtë deklaratën. Shefja e FMN-së, Christine Lagarde ka paralajmëruar se Greqia mund të largohet nga eurozona. Kryeministri grek Aleksis Tsipras bisedoi dje në telefon me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Francois Hollande në një tjetër përpjekje për të përshpejtuar bisedimet.
Sigal