Grekët nuk presin ndryshime të mëdha në qeverinë e re të Tsipras

426
Grekët nuk presin ndonjë ndryshim të madh në qeverinë e re të kryeministrit Aleksis Tsipras krahasuar me kabinetin e tij të mëparshëm.
Udhëheqësi i majtë u betua si kryeministër i vendit të hënën, pasi partia e tij Syriza rrëmbeu fitoren për herë të dytë brenda vitit.
Tsipras do të qeverisë dhe një herë me të njëjtën peshë mbi supe, atë të masave të ashpra në këmbim të borxhit të akorduar nga kreditorët ndërkombëtarë.
Sërish në krah të liderit të majtë qëndrojnë grekët e pavarur, lideri i të cilëve Panos Kamenos premtoi krijimin e qeverisë brenda ditës së sotme.
Eleni Kosma, banore e Athinës, nuk pret që qeveria e re të jetë më e suksesshme se e para.
“Është i njëjti koalicion që do të qeverisë dhe maksimumi mund të kenë 5 emra të rinj. Unë besoj se Tsipras do të ndjekë të njëjtat linja dhe nuk besoj se do të jetë më i sukseshëm. Borxhi është në fuqi dhe ne kemi për ta paguar, kjo do të ndodhë,”- thotë 50 vjeçarja Kosma.
Por Andreas Avlonis beson se shumica e re parlamentare do të jetë më e qëndrueshme, pas largimit të ektremistëve brenda partisë Siriza.
“Qeveria e re do të jetë më e qëndrueshme pasi aksush nuk do të ndërhyjë në punën e saj. Qeveria ka grupin e saj parlamentar dhe mbështetjen e grekëve të pavarur. Mendoj se gjithçka do të shkojë mirë, “ – thotë Avlonis, 40 vjeç.
Demokracia e Re, e cila u radhit e dyta në zgjedhjet e fundjavës, deklaroi se do të mbajë zgjedhje brenda radhëve të saj sa më shpejt të jetë e mundur.
Partia Konservatore hyri në zgjedhje e udhëhequr nga lideri provizor Vangelis Meimarakis, por u mposht nga Syriza, e cila mori 35 për qind të votave me 145 vende në parlamentin 300 vendesh.
Demokracia e Re mori 28 për qind të votave me 75 vende në parlament.
Sigal