Grekët humbin durimin, në Bruksel pritet marrëveshja

570
Teksa Ministrat e Financave të Eurozonës diskutojnë në Bruksel propozimet e reja të Greqisë me qëllim arritjen e marrëveshjes mes Athinës dhe kreditorëve, qytetarët grekë duket se kanë humbur durimin.
Greqia duhet ti paguajë deri më 30 qershor Fondit Monetar Ndërkombëtar 1.6 miliard euro, në të kundërt përballet me falimentin.
Ka një optimizëm nga të dyja palët, ku kryeministri grek Aleksandër Tsipras dhe kancelarja Angela Merkel kanë deklaruar më herët se do të punohet fort që mëngjesin e të enjtes të ketë një marrëveshje paraprake.
Sipas ministrit grek të ekonomisë, George Stathakis, ka ende dallime dhe ngërçe në negociatat mes palëve, veçanërisht sa i përket TVSH-së mbi ishujt grekë, një çështje shumë e ndjeshme për të djathtën e pavarur të Greqisë dhe gjithashtu çështja e lehtësimit të borxheve.
Në rrugët e Athinës qytetarët kanë mendime të ndryshme, ku disa prej tyre mendojnë se qeveria nuk duhet të bjerë pre e presionit të kreditorëve.
“Unë mendoj se është gjithmonë më mirë një marrëveshje e çdo lloj tipi sesa të mos ketë fare marrëveshje. Por që një marrëveshje të jetë e mirë dhe e favorshme, duhet që të përmbushë interesat e të gjitha palëve. Deri tani marrëveshja favorizon vetëm njërën pale”, thotë avokati Yannis Petrakis.
“Çdo ditë, si qytetare greke, me atë që po ndodh, unë jam në agoni. Ndihem e pasigurtë, por dua vërtet të besoj se ajo që do të arrihet në Bruksel do të jetë diçka e mirë. Jemi të denjë dhe Greqia meriton më shumë”, thotë Evangelia, 39 vjeç nga Athina.
Ndërkaq ka të tjerë që besuan shumë se Aleksis Tsipras do të hiqte të gjitha masat e kursimit dhe e besuan si heroin e tyre, ndërkohë që tani ndihen të zhgënjyer.
“Unë mendoj se Tsipras ka tradhtuar votën e popullit grek. Syriza tashmë është bërë një me FMN, BE dhe BQE. Populli grek kishte të tjera pritshmëri dhe jo këto që bën Kryeminstri”, thotë Spiros Melas.
“Tsipras ka gënjyer me vetëdije popullin grek para se të vinte në pushtet. Sot ai përballet me realitetin dhe është duke bërë atë që duhej bërë. Por, unë mendoj se kjo do të kushtoje, për fat të keq ky është fati i grekëve”, tha Nikos Adzinas, një biznesmen në pension.
Greqia ka kërkuar në vazhdimësi nga kreditorët anulimin e një pjese të borxhit publik, me argumentin se vetëm kjo do të nxirrte vendin nga kriza.
Kjo kërkesë është refuzuar prerë nga kreditorët dhe nga krerët e Bashkimit Europian.
Sigal