Gjyqi për Haradinajn – PDIU: Shteti francez mos bjerë pre e mashtrimeve serbe

460
Vendimin e gjykatës franceze për të shtyrë seancën ndaj Ramush Haradinajt e ka dënuar edhe PDIU. Në një deklaratë për mediat kjo forcë politike i bën thirrje shtetit francez që mos bjerë pre e mashtrimeve serbe.

“Partia Drejtësi Integrim Unitet shpreh indinjatën e thellë për shtyrjen e gjyqit ndaj ish-komandantit dhe ish kryeministrit Ramush Haradinaj i cili është duke u mbajtur padrejtësisht peng i disa akt-akuzave të gatuara në kuzhinën shoviniste serbe. Pafajësina e Z. Haradinaj është vërtetuar katërcipërisht nga proceset e stërgjatura e sfilitëse të Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe nuk ka asnjë arsye logjike që gjyqësori francez të përfill akt-akuzat e ngritura nga ish-shërbëtorët e Milosheviçit. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve franceze dhe partnerëve tanë ndërkombëtar që mos të bien pre e mashtrimeve dhe montimeve të shtetit serb ndaj luftëtarëve tanë. Po ashtu shprehim bindjen e plotë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë dhe e kulluar dhe se askush nuk do të mund të hedh baltë mbi këtë etapë të lavdishme të historisë së popullit shqiptar dhe mbi luftëtarët tanë të lirisë.”
Sigal