Gjermania: Shqipëria, Kosova e Maqedonia të shpallen vende të sigurta, të rikthehen vizat

416
Zyrtarët gjermanë përpjekje për të frenuar fluksin e azilkërkuesve nga Ballkani. Sipas rrjetit britanik BBC përpjekjet dhe propozimet përfshijnë rivendosjen e vizave dhe shpalljen e vendeve të Ballkanit, si vende të sigurta origjine. Përpjekjet vijnë pas rritjes së fluksit të emigrantëve dhe azilkërkuesve nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.
Sipas BBC numri i azilkërkuesve në Gjermani, nga këto tre shtete të Ballkanit është rritur me 515%, shifër që del nga zyra federale gjermane e emigracionit. Kjo e fundit, sikundër citon BBC, ka kërkuar madje rikthim të regjimit të vizave si një nga masat për të mbajtur nën kontroll ritmin e azilkërkuesve.
Klasifikimi si vende të sigurta, lehtëson punën e autoriteteve për të rikthyer azilkërkuesit në vendet e tyre. Kjo pasi është e vështirë që aplikantët të provojnë se janë viktima të persekutimit politik, fetar dhe etnik-shkruan BBC. Propozimet bazohen duke parë se pas heqjes së vizave ndaj Bosnjës, Serbisë dhe Maqedonisë, pati rritje të madhe të azilkërkuesve në Gjermani. Megjithatë shumica e vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë dhe Gjermaninë zbatojnë rregullat e Shengenit të cilat lejojnë udhëtime të pakufizuara në Europë. Nëse do të vendosen kufizime të reja për vizat, do të kërkohet vendim në nivel të Bashkimit Europian.
Sigal